Mediumi amerikan “Fox News” në një artikull të publikuar ditë më parë ka shkruar për vizitën e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Prishtinë e Beograd, derisa thekson se “BE paralajmëron Serbinë dhe Kosovën të bëjnë paqet ose do të vuajnë pasojat”.
Në artikull thuhet se Presidentja Von der Leyen ka kërkuar nga Serbia njohjen “de-facto” ndaj Kosovës, ndërsa nga kjo e fundit ka kërkuar autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën.
“Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë de fakto Kosovën si një komb të pavarur dhe Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën. Kjo do të përmbushte në mënyrë efektive angazhimet e mëparshme të Serbisë dhe Kosovës të negociuara në fillim të këtij viti, por ka pak shenja që secila palë është në të vërtetë synuar të vazhdojë”, thuhet në artikullin e publikuar nga mediumi amerikan.
“Deklaratat e një përfaqësuesi kaq të lartë politik kanë peshë, megjithatë, ne duhet të shohim ende nëse ato do të bëjnë një ndryshim,” tha për Fox News Digital Helena Ivanov, bashkëpunëtore në shoqërinë “Henry Jackson”.
“Deri më tani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qenë shumë i qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk është në të vërtetë në tavolinë, dhe Serbia e kishte të qartë se anëtarësimi në OKB për Kosovën është një vijë e kuqe. Si planifikon saktësisht BE-ja t’u bëjë presion të dyve mbetet e paqartë që palët të kalojnë linjat e tyre përkatëse”, shtoi Ivanov.
Rreth këtij artikulli ka reaguar sot ish-kryeministri i Kosovës, njëherit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Hoti përmes një postimi të bërë në Facebook ka thënë se nëse nuk është e vërtete ajo që ka thënë presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë.
Tutje, ai ka thënë se është obligim i Kurtit dhe Osmanit që t’i sqarojnë qytetarët.
“Nëse nuk është e vërtetë kjo që ka thënë znj. Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë.
Është obligim i juaj, dilni dhe sqaroni qytetarët”, ka shkruar Hoti.
Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, por që i njëjti deri në publikimin e artikullit nuk është përgjigjur.