Shorti i tërhequr para një jave nga FIBA përcaktoi që Kosova e Serbia të jenë në të njëjtin grup. Nuk bëhet fjalë për ndonjë grup të përfaqësueseve seniore të basketbollit apo të përfaqësueseve të grupmoshave të reja. Bëhet fjalë për “eFIBA”, turneun zyrtar të FIBA-s në lojën kompjuterike “NBA 2K”.
Sipas shortit, Kosova e Serbia ishin në Grupin B të parakualifikimeve në “eFIBA”, së bashku me Portugalinë, Spanjën, Lituaninë, Gjermaninë e Finlandën.
Pasi bëhet fjalë për turne në lojëra kompjuterike, u mendua se Kosova e Serbia mund të përballen. Shortit nuk iu kushtua shumë rëndësi dhe turneu që duhet të mbahet muajin tjetër, mbeti disi në harresë.
Por Kosova e Serbia megjithatë nuk do të përballen as në këtë lojë kompjuterike. Këtë e bëri të ditur Federata e Basketbollit e Kosovës të premten. Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) nuk ka lejuar që Kosova e Serbia të jenë në të njëjtin grup. Pra ka shmangur përballjen edhe në videolojë.
Për këtë Kosovës i është ndërruar grupi.
“Sot FIBA ka njoftuar Federatën e Basketbollit të Kosovës që grupi ynë në fazën e parakualifikimeve në ‘eFIBA’ ka ndryshuar, për shkak që të mos jemi në grupin e njëjtë me Serbinë”, shkruan në njoftimin e FBK-së.
Ekipi i Kosovës në ‘eFIBA’ tani është në Grupin A së bashku me Francën, Britaninë e Madhe, Greqinë, Italinë, Suedinë e Zvicrën.
Ky është edicioni i tretë i lojës kompjuterike “eFIBA”. Kosova merr pjesë për herë të parë.
Sipas FBK-së, pesë prej shtatë ekipeve do të kalojnë në fazën e dytë, që janë kualifikimet regjionale. Ndeshjet janë prej 8 deri më 10 tetor.
61 ekipe përfaqësuese do të garojnë në ‘eFIBA”. Fillimisht do të garohet për tituj regjional e më pas është ‘eFIBA World Finals”. Lojërat zhvillohen në PlayStation 5. Fondi shpërblyes është 50 mijë euro.
Kosova e Serbia nuk përballen në sport, me pak përjashtime. UEFA e FIFA nuk lejojnë ndeshjet e futbollit mes klubeve e përfaqësueseve të Kosovës e Serbisë. Njëjtë është në basketboll e po ashtu në hendboll. Në volejboll në gara ballkanike shumë herë kanë dështuar përballjet mes Kosovës e Serbisë pasi serbët kanë refuzuar të përballen me Kosovën.
Në sporte individuale në raste ka përballje të Kosovës dhe Serbisë. Por shumë rrallë.
Përballjet mes Kosovës e Serbisë në sport ende janë shumë të largëta. Edhe vendimi i fundit i FIBA-s për lojën kompjuterike e dëshmon këtë.