Kosova në NATO, presidentja Osmani me liderët e Aleancës, bisedon me Biden

Kosova mori pjesë në aktivitetin përmbyllës të Samitit të NATO-s në Uashington me ftesë të presidentit amerikan, Joe Biden.

Presidentja Vjosa Osmani e vlerësoi me rëndësi të veçantë pjesëmarrjen në këtë event. “Është hera e parë në histori që Kosova përfshihet në një Samit të aleancës së shpresës dhe për këtë u jam mirënjohëse personalisht Presidentit Biden dhe SHBA-ve”, ka theksuar Presidentja.

Zonja Osmani njofton se në fund të samitit ka zhvilluar dhe një bisedë me homologun amerikan Biden, duke e falenderuar atë për “kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj Kosovës”. Gjithashtu ka zhvilluar biseda dhe me liderë të tjerë nga disa shtete të botës. Presidentja e Kosovës mori pjesë edhe në eventin për garantimin e sigurisë për Ukrainën nga NATO.