Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka njoftuar për zhbllokimin zyrtar të Marrëveshjes së Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe se nga sot Kosova nuk do të përfaqësohet më me emrin UNMIK.
“Padyshim lajm i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe nga tash, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, siç do të duhej, dhe jo me UNMIK. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë trup rajonal”, ka shkruar ai në Twitter.
Indeed good news for 🇽🇰 and the entire region: CEFTA has been unblocked and from now on, 🇽🇰 will be represented by its own officials, as it should be, rather than by UNMIK. A major step forward for equal representation and participation in this regional body! https://t.co/QTnAQItmzo
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) October 9, 2024
Ndërkaq Christian Botcher, zyrtar për komunikim në Ambasadën e Gjermanisë, ka thënë se Kosova do të jetë pjesë e Procesit të Berlinit.
“CEFTA është zhbllokuar me Kosovën që është e përfaqësuar siç duhet, në vend të UNMIK, që është sukses i madh. Kosova, sigurisht mbetet pjesë e Procesit të Berlinit dhe ne presim që përfaqësuesit kosovarë të jenë të pranishëm në Samit dhe në të gjitha formatet”, ka thënë Botcher për KOHËN.
Paraprakisht lajmërim pozitiv dha ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
“Ballkani Perëndimor po afrohet më afër së bashku. Në Procesin e Berlinit ne ishim në gjendje të punonim së bashku për ta zgjidhur nyjën në marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA. Duke bërë këtë, ne hapim rrugën për përmirësime konkrete për banorët vendas. Dhe forcojmë Evropën tonë të përbashkët”, ka shkruar ajo në Twitter.
Postimin e saj e ka shpërndarë edhe emisari gjerman Manuel Sarrazin që e ka quajtur lajm të mirë njoftimin e Baerbockut. Ai ka thënë se Gjermania pret samit të suksesshëm të Procesit të Berlinit javën e ardhshme.
Lajmërimet vijnë pak pasi Qeveria e Kosovës ndryshoi masën e sigurisë ndaj mallrave nga Serbia nga “ndalim” në “kontroll i shtuar”.
Për në orën 16:00, Qeveria e Kosovës pritet të mbajë konferencë, ku pritet të shpalosen edhe më të rejat e fundit nga takimi i CEFTA-s, që po mbahet në Beograd, e ku Kosova po përfaqësohet nga ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Paraprakisht zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se pret që UNMIK-u të largohet përfundimisht nga përfaqësimi i Kosovës në CEFTA. Bislimi ka thënë se e sheh si një hap pozitiv që një vendim i tillë mund të merret pikërisht në Beograd. Ndërkaq Kryeministri Albin Kurti e ka komentuar në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë heqjen e ndalesës për mallrat serbe, duke përsëritur se Kosova nuk ka masa tregtare, por masa të sigurisë me Serbinë.
Gjermania ka insistuar më së shumti për heqjen e masës. Përfaqësues të këtij shteti kërcënuan se, nëse ajo nuk do të hiqej, Kosova nuk do të ftohet në samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet të hënën e ardhshme.
Nga dhjetori i 2021-tës, Kosova ka pezulluar pjesëmarrjen në Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), pasi Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Moldavia kanë refuzuar që të diskutojnë për largimin e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) si përfaqësues i Kosovës brenda marrëveshjes rajonale të tregtisë.
Pas tre vjetësh bllokadë, zyrtarë të Qeverisë kanë deklaruar së fundi se Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Por sipas Jeton Zulfajt, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit.
Më 14 dhe 15 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz do të mbahet Procesi i Berlinit, ku synohet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë. Aktualisht, tregtia e lirë realizohet nëpërmjet CEFTA-s, por Kosova e ka refuzuar këtë rrugë në të kaluarën, pasi përfaqësohej nga UNMIK-u dhe jo si shtet i pavarur.
Procesi i Berlinit është një iniciativë e Qeverisë gjermane nga viti 2014 dhe një platformë e përbashkët për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Komisionin Evropian (KE), disa vende të BE-së dhe Britaninë e Madhe që synon të mbështesë afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.
Marrëveshjet në kuadër të CEFTA-s miratohen nga Komiteti i Përbashkët në formën e Vendimeve, Protokolleve Shtesë ose Rekomandimeve. Aktualisht, dhjetë marrëveshje të tilla janë në pritje të miratimit në fusha të ndryshme si tregtia elektronike, shërbimet e shpërndarjes së pakove, parandalimi i bllokimit të pajustifikuar gjeografik, kualifikimet profesionale, pronësia intelektuale, menaxhimi i rrezikut, shërbimet e agjencive të udhëtimit, njohja e operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare.