Kostantinos Argiros dhe Orkestra Simfonike Shqiptare “ndezin” Royal Albert Hall

Muzika bashkon njerëzit, popujt dhe kulturat. Në këtë botë të mbushur me ndasi kulturore, gjuhësore, fetare dhe politike, ajo mbetet një nga instrumentet më të fuqishme që arrin të kapërcejë çdo barrierë. Këtë  vërtetoi edhe koncerti i këngëtarit të njohur grek, Kostantinos Argiros, mbrëmjen e djeshme në skenën prestigjioze të Royal Albert Hall në Londër.

Me një interpretim të shkëlqyer dhe nën drejtimin e dy maestrove Nikos Garoufalakis and Gridi Kraja si dhe shoqërimin e orkestrës simfonike shqiptare, Argiros arriti të ngrejë në këmbë një publik të shumëllojshëm.

Kjo ngjarje mund të konsiderohet një moment historik, duke u bërë një simbol i bashkimit të dy popujve, shqiptarëve dhe grekëve, në zemrën e Anglisë.

Në intervistat e rij Argiros nuk e ka kursyer mirënjohjen  dhe vlerësimin për instrumentistët shqiptarë, duke theksuar se: “Vitin e kaluar, mbajtja e një koncerti në Pallatin e Kongreseve, çka më bëri të kuptoj që Shqipëria ka instrumentistë të shkëlqyer, ndër më të mirët në botë.”

Dhe vërtet, zëri i tij, i mbështetur nga talenti i muzikantëve shqiptarë, krijoi një atmosferë magjike që i dhuroi publikut në Londër një natë të paharrueshme.

Argiros ka mbajtur më shumë se katër koncerte në Shqipëri në dy vitet e fundit, dhe në këtë koncert të cilin e konsideron më të rëndësishmin e karrierës së tij ai zgjodhi të bashkëpunojë me ata që i konsideron më të mirët, instrumentistët shqiptarë.

Duhet vlerësuar ky gjest i këngëtarit të njohur grek (për të cilin edhe spekulohet mbi origjinën e tij shqiptare nisur nga mbiemri Argiros-Argjiros- Gjirokastër???) në një kohë kur mediat shqiptare dhe greke përfshihen në lajme politike, kronikash, tensionesh politike e përplasje politikanesh, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse e ngarkojnë edhe më shumë tensionin mes dy shoqërive.

Ky bashkëpunim artistësh duhet parë si një frymëzim dhe një kujtesë se arti ka fuqinë të bashkojë, të krijojë dhe të ngrejë shpirtin.

Kostantinos Argiros, me zërin dhe pasionin e tij për muzikën kaloi çdo ndasi dhe arriti t’i bashkojë shqiptarët dhe grekët në një skenë ku muzika ishte gjuha e vetëm që fliste.

Të gjithë ata që morën pjesë në këtë ngjarje e dinë se muzika është më shumë se thjesht nota; ajo është një përvojë, një ndjesi dhe një lidhje që vazhdon të ekzistojë përtej përjetimeve tona individuale. Një natë e tillë nuk është vetëm një koncert; është një festë e vërtetë e kulturës dhe identitetit që na kujton se, përkundër të gjitha dallimeve, në fund të ditës, ne jemi të gjithë njerëz./ Diaspora Shqiptare/