Krasniqi sërish Kurtit: Çu shkojmë në veri – nesër, pasnesër, kur të duash

Kanë kaluar mbi një javë, që kur kryetarët e zgjedhur verior, morën detyrat e tyre pas betimit të dhënë.

Megjithatë, edhe pas kaq ditësh, anise me rekomandim të kryeministrit Albin Kurti, ku kërkonte që detyrat t’i ushtronin nga objektet komunale, si shef i ekzekutivit, ende nuk ka zhvilluar një vizitë tek ta, si zona më e ndjeshme, edhe pas situatës së tensionuar, përcjell klankosova.tv.

Anise kërkesa e Kurtit që kryetarët të ushtrojnë detyrat e tyre, në objektet komunale në veri shoqëruar edhe nga njësitet speciale, kundërshtohej nga ndërkombëtarët, është vet kryeministri ai që i ka kërkuar ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, që ta zhvillojë një vizitë tek ta.

Por, një kërkesë të ngjashme e pati dje kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili të njëjtën e përsërit edhe sot përmes facebook-ut, duke ndarë shqetësim se është e padrejtë t’u rrezikohet jeta e kryetarëve të komunave, nëse vet kryeministri Albin Kurti s’e bën një gjë të tillë.

”Kryeministër, leji fjalët e çu shkojmë në veri. Lej, mos u lidh mbas Izmirit, Ilirit, Lulzimit e Erdenin. Hajde çu shkojmë në veri. Kryeministër je, priju njerzëve. Pse po i shtin ata me zor atje me rreziku jetën e vet. Hajde ti rrezikoje i pari, e unë pas teje i dyti. Çu sot, pasdite, në mbramje, nesër, pasnesër, kur të duash”.