Kremlini: Planet e Britanisë së Madhe për të dërguar trupa në Ukrainë janë të papranueshme

Çdo plan britanik për të dërguar trupa në Ukrainë si pjesë e një misioni të mundshëm paqeruajtës do të ishte i papranueshëm për Rusinë, tha Kremlini këtë mëngjes.

Sipas mediave të huaja, pasi kryeministri Sir Keir Starmer tha se trupat britanike mund të vendosen në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se propozimi është i papranueshëm.

Ai tha se nuk do të pranohen nga Rusia, sepse do të përfshinte forca nga një anëtar i NATO-s dhe për këtë arsye do të kishte pasoja për sigurinë e vetë Rusisë, shkruan A2 CNN.

“Ideja e vendosjes së trupave nga vendet e NATO-s në Ukrainë është e papranueshme për Rusinë”, tha Peskov.

I pyetur në lidhje me komentet e Zelenskyy dhe Donald Trump, Peskov u tha gazetarëve se “retorika e Zelenskyy dhe shumë përfaqësuesve të regjimit të Kievit lë shumë për të dëshiruar”.

“Fakti që vlerësimi për Zelenskyn po bie, është një prirje absolutisht e dukshme,” shtoi Peskov, duke përsëritur një linjë sulmi të përdorur kundër Zelenskyt nga Trump.

Kujtojmë se Trump ka thënë disa herë se Zelenskyy ka vlerësime të ulëta të popullaritetit në Ukrainë, duke shtuar se ai kishte vetëm 4% mbështetje nga ukrainasit.

Vlerësimi i presidentit ukrainas është në fakt rreth 50%, i ngjashëm me atë të Trump, shkruan A2 CNN.

Duke iu përgjigjur pretendimeve, Zelenskyy tha dje se Trump ishte i bllokuar në një “flluskë dezinformimi”.