‘Krishti u ngjall’, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë Pashkën!

Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, besimtarët ortodoksë ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin. Ngjallja e Krishtit këtë vit kulmoi në mesnatën mes 4 dhe 5 majit.

Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen ‘Ngjalla e Krishtit’, nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Pas meshës, besimtarët largohen me qirinj të ndezur në duar, që simbolizon dritën e shpresës për të çuar në shtëpitë e tyre mirësi dhe begati. Festimet do të vijojnë gjatë gjithë ditës së diel, 5 prill.

Në vigjilje të Pashkës, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos uroi të gjithë besimtarët, i cili tha se vëmendja këtë vit shkon në vendet e përfshira në konflikte si Ukraina, Gaza e Sudani.

Kryepeshkopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, ‘të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë”, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Urimet nuk mungojnë as nga politika, nga Presidenti Bajram Begaj, te kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryedemokrati Lulzim Basha e Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë! Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo te gjithë besimtaret ortodoksë”, shkruan Begaj.

“Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje”, shkruan Meta.

“Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të triumfojë mbi çdo dhimbje dhe padrejtësi. Nga mot gëzuar”, shkruan Basha.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.

‘Krishti u ngjall’ është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe, ngjyrë e cila simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.