E përditshmja serbe “Danas” dhe kryeredaktori i saj Dragoljub Petroviq u bënë shënjestër e një organizate të krahut të djathtë një ditë pasi gazeta u kritikua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një paraqitje të drejtpërdrejtë në televizionin publik RTS.
Në hyrje të ndërtesës së Danasit janë hedhur fletushka të firmosura nga Lëvizja Konservatore Nasi.
Kritikoi Vuçiqin, ekstremistët e bëjnë bashkë me Adem Jasharin dhe i vënë plis në kokë gazetarit të Danas
E përditshmja serbe “Danas” dhe kryeredaktori i saj Dragoljub Petroviq u bënë shënjestër e një organizate të krahut të djathtë një ditë pasi gazeta u kritikua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një paraqitje të drejtpërdrejtë në televizionin publik RTS.
Në hyrje të ndërtesës së Danasit janë hedhur fletushka të firmosura nga Lëvizja Konservatore Nasi.
Fletushkat shfaqnin një fotografi të Petroviqit me plisin shqiptar dhe me fotografinë e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.
Aty shkruhej: “Ti nuk je Draza, ti je Adem”, raporton N1 në gjuhën angleze, transmeton Express.
Një fotografi e komandantit të Ushtrisë Mbretërore jugosllave të Luftës së Dytë Botërore Dragoljub Mihailoviq është gjithashtu në fletushka. Petroviq ndan pseudonimin Draza me Mihailoviq. Një logo e Danas-it është ngjitur me logon e gazetës së Kosovës “Koha Ditore”.
Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (NUNS) dënoi sjelljen e zyrtarëve publikë dhe u bëri thirrje atyre dhe presidentit Aleksandar Vuçiq që të ndalojnë së shënjestruari gazetarët sepse kjo është kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre, duke shtuar se “Vuçiq kishte në shënjestër Danasin pas incidentit të fundit në Kosovë dhe akuzoi gazetaren e N1 Sanja Sovrliq se sugjeroi se autoritetet serbe u siguronin armë serbëve të Kosovës”.
Fletë të tjera të hedhura nga organizata Nasi përfshinin liderët e opozitës me kapelë shqiptare dhe fjalët “opozita e Kurtit” pranë një fotografie të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Vuçiq kritikoi Danasin për artikullin e tij mbi zyrtarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, duke akuzuar të përditshmen se ndihmon në shkatërrimin e Serbisë.