Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, priti në Jerusalem ministren shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ku u nënshkruan memorandume mirëkuptimi për trajnimin e diplomatëve të rinj dhe bashkëpunimin në fushën e diplomacisë publike.
Në një postim në X, Sa’ar vlerësoi rolin e Shqipërisë nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar si një mik të vërtetë të Izraelit, me një dimension të qartë moral në politikën e saj të jashtme.
“Ky është një hap tjetër drejt forcimit të miqësisë mes vendeve tona,” shkroi ai, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Tiranës dhe Jerusalemit.
Marrëveshjet e nënshkruara synojnë të rrisin kapacitetet diplomatike të të rinjve dhe të forcojnë lidhjet në fushën e komunikimit ndërkombëtar dhe diplomacisë publike.
Në vijim të vizitës zyrtare në Izrael, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u prit në takime të veçanta nga ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar dhe kryetari i Kuvendit, Amir Ohana.
Gjatë takimit me homologun izraelit, Spiropali theksoi rëndësinë e planit të paqes të Presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si një mundësi për të forcuar sigurinë dhe bashkëjetesën në rajon.
“Të udhëhequr nga i njëjti angazhim për paqen, ne besojmë fuqimisht se plani 20-pikësh i paqes, i Presidentit Trump, ka potencialin për të sjellë stabilitet të qëndrueshëm dhe për të nxitur bashkëjetesën paqësore midis izraelitëve dhe palestinezëve. Le të shënojë ky moment një kapitull të ri – jo vetëm për Izraelin, por për të gjithë rajonin”, deklaroi ajo.
Ministrja vuri theksin edhe te trashëgimia historike dhe morale e popullit shqiptar, që gjatë Luftës së Dytë Botërore shpëtoi komunitetin hebraik.
“Të udhëhequr nga kodi ynë i përjetshëm i ndershmërisë, Besa, ne strehuam çdo familje hebraike që gjeti strehë midis nesh. Shqipëria u bë vendi i vetëm në Evropë ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit. Kjo është një trashëgimi që e nderojmë dhe e ruajmë ende sot”, tha Spiropali.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja falënderoi shtetin e Izraelit për njohjen e Republikës së Kosovës, duke shprehur dëshirën që të dyja vendet të thellojnë më tej bashkëpunimin.
Ajo nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit po zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të rëndësishme si inovacioni, arsimi, turizmi, shëndetësia dhe bujqësia. “Jemi krenarë që mësojmë nga përsosmëria e Izraelit në teknologji dhe shkencë. Shqipëria është një vend me potencial në rritje, i pozicionuar midis Evropës dhe Mesdheut”, shtoi Spiropali.
Në përfundim të takimit, të dy kryediplomatët nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që përfshin diplomacinë publike dhe trajnimin e diplomatëve të rinj.
Gjatë qëndrimit të saj, Spiropali u prit edhe nga Kryetari i Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana, ku u konfirmua mbështetja e ndërsjellë për nisma që nxisin stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
“Le të vazhdojmë të ndërtojmë më shumë ura, më shumë partneritete dhe më shumë mundësi për të rinjtë tanë, novatorët, artistët dhe sipërmarrësit tanë”, përfundoi Ministrja Spiropali.