Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, në një prononcim para gazetarëve, ka komentuar deklaratën e presidentit kroat, Zoran Milanoviç, i cili tha se Kroacisë i mungojnë armët.
Lidhur më këtë, Plenkoviç konstatoi se Milanoviç është një person që e admiron Vladimir Putinin, presidentin e Rusisë dhe se përformon si Administrata e Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë komuniste.
“Kroacia merrte frymë normalisht derisa ai u kthye nga Kili dhe filloi të ndot hapësirën publike, përsëri është i njëjti repertor nga UDBA e këndej. Milanoviç është një Putinofil, një njeri që tha se nuk dëshiron që Kroacia të marrë pjesë në misionin e BE-së për të ndihmuar Ukrainën”, theksoi Plenkoviç, transmeton mediumi kroat “Index”.
Parlamenti i Kroacisë më 16 dhjetor, refuzoi propozimin që Kroacia t’i bashkohet Misionit të Ndihmës Ushtarake të Bashkimit Evropian në Ukrainë (EUMAM Ukraine) dhe ndër kundërshtarët më të ashpër ndaj këtij propozimi ishte pikërisht Milanoviç.
Për këtë arsye, Plenkoviç potencoi se “Milanoviç nuk është president i një vendi që është anëtar i BE-së”, duke shtuar se po që se Kroacia të ndiqte pikëpamjet e presidentit kroat, “nuk do të kishim hyrë në Shengen, në Eurozonë, nuk do të kishim ndihmuar Ukrainën dhe nuk do ta dënonim agresionin”.
“Është një politikë e papërgjegjshme, joserioze dhe izoluese dhe jashtëzakonisht Putinofile. Kjo është një politikë që duhet ta vendosë Kroacinë në një pozicion ku, ndryshe nga të gjitha vendet perëndimore, do të jemi ne ata që do të dëgjojmë më shumë regjimin e Putinit”.
Ndryshe, pjesëmarrja e Forcave të Armatosura të Kroacisë në misionin e BE-së për t’i dalë në mbështetje ushtrisë ukrainase, prej kohësh kishte futur në sherr kryeministrin dhe presidentin kroat.
Misioni EUMAM Ukraine do të operojë në territorin e shteteve anëtare të BE-së dhe do të ketë një Shtabi Operacional në Bruksel për të siguruar koordinimin e përgjithshëm në nivel strategjik.