Elis Buba
Si dhe sa po punojmë me imazhin, strategjinë dhe perspektivën e pasurisë që na ka falur natyra shqiptare?
Të huajt tashmë e identifikojnë masivisht si “Maldivet e Europës” dhe natyra në këtë copëz të vogël të Shqipërisë, është treguar mjaft bujare në dekor natyral dhe kandisje të mendjes dhe shpirtit, përmes peizazheve mbresëlënëse.
Ksamili është një nga destinacionet që po e paraqet Shqipërinë faqe botës dhe është fat për të gjithë ne që vendi yne rezervon edhe kartolina natyrore të tilla që nuk kanë shumë nevojë për komente. Por këto qoshe të vyera të bregdetit jonian, këto visare, duhet te frymojnë, aromojnë, tingullojnë e shijojnë gjithnjë e më shumë shqipërisht.
Sipas te dhënave të përgjithshme që bëjne publike eskpertët e turizmit…
Ksamili ofron disa nga plazhet më të bukura në bregdetin shqiptar, me ujë të kristaltë dhe rërë të bardhë. Ky peizazh i “paprekur” është shumë tërheqës për turistët, veçanërisht ata që kërkojnë një përvojë plazhi si në Karaibe, por më afër dhe me një kosto më të ulët.
Ksamil ndodhet afër Parkut Kombëtar të Butrintit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe pranë Sarandës, një qendër e rëndësishme turistike.
Ndonëse për shqiptarët, Ksamili mund të jetë një destinacion relativisht i shtrenjtë, turistët nga vendet e Evropës Perëndimore, Skandinavisë, ose edhe SHBA, e perceptojnë atë si një destinacion me kosto të ulët në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut, si Italia ose Greqia. Diferencat në të ardhura dhe fuqia blerëse e monedhave bëjnë që për ta, çmimet në Ksamil të duken të përballueshme.
Turistët shpesh përmendin mikpritjen shqiptare si një nga arsyet kryesore pse kthehen në Ksamil dhe në Shqipëri. Përvoja e qëndrimit në një ambient të ngrohtë dhe mikpritës është diçka që e bën Ksamilin tërheqës për ta.
Sfidat e turizmit në tërësi
Ikin vendasit dhe vijnë turistët low cost, ulet me 20% konsumi në restorante
Sipas Monitor, Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, tha se krahasuar me vjet, konsumi në bare dhe restorante është ulur mesatarisht 20%. Arsyet kryesore të reduktimit të konsumit, sipas tij, mbeten largimi i vendasve jashtë Shqipërisë në sezonin turistik dhe ardhja në vend e turistëve “low cost”.
Vlen të theksohet se e vërtëta është se turizmin në Shqipëri, statistikisht deri më sot e kanë frekuentuar masivisht shqiptarët nga të gjitha trojet shqipfolëse në rajon. Sa i përket Ksamilit në veçanti, është një destinacion i përsosur për standardet e të huajve ndoshta. Për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Shqipëri e Kosovë ky vend po bëhet gjithnjë e më shumë një mollë e ndaluar. Ky mund të interpretohet si një pozicionim i gabuar strategjik.
Plazhe të braktisura dhe sezon turistik i dështuar e ka cilësuar BIRN. Asgjë më shumë se një rënie të paralajmëruar
Birn bazohet tek një pohim i Baki Hotit. Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, thotë se ata kanë paralajmëruar që nga fillimi i vitit se jo të gjithë sytë e turistëve kosovarë do të kthehen nga Shqipëria këtë verë, pasi vendit më në fund iu dha një regjim pa viza me BE-në.
A shpaloset kulturë shqiptare në zonën e Ksamilit?
Shume turistë nga Europa Perëndimore shprehen të kënaqur me natyrën zemërgjerë, tejet joshëse të Ksamilit, por flasin me rezerva sa i takon atraksioneve kulturore në zonë dhe imazhit të kulturës shqiptare, të munguar përgjatë gjithë bregut. Në disa nga bizneset më të sukseshme gjenden punime artistike që nuk lidhen askund me Shqipërine dhe shqiptarët. Ndoshta edhe në këtë pikë duhet punuar. Gjurmët tona duhet të jenë të dukshe në brigjet tona, sic janë të dukshme gjurmët kulturore të popujve pranë nesh në aktivitetet tregëtare përgjate bregdetit të tyre.
Vizitorët në Ksamil kanë mundësinë të përjetojnë kulturën lokale dhe traditat shqiptare përmes ngjarjeve lokale, artizanatit, muzikës dhe kuzhinës tradicionale. Restorantet dhe kafetë në Ksamil shpesh ofrojnë muzikë të gjallë dhe shfaqje tradicionale që paraqesin folklorin shqiptar. Por përgjithësisht produktët që konsumohen janë të importuara, për shembull, ushqimi, pijet etj. . Gjithashtu mbizotëron një muzikë dhe atmosferë jo vendase. Një hibrid kulturor të cilit nuk i vihet dot emër.
Megjithatë fare pranë është Parku Kombëtar i Butrintit, një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri dhe është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Një tjetër atraksion interesant është ishulli i vogël pranë Ksamilit, ku ndodhet Kështjella e Ali Pashës, ose Manastiri i Shën Gjergjit, pranë Ksamilit. Manastiri ka një histori të gjatë dhe është një vend pelegrinazhi për vendasit.
Si përfundim Ksamili është një destinacion i përsosur, një kartolinë përfaqesuese për Shqiperinë, dhe si e tillë ka përgjegjësi të magnetizojë dhe të lërë përshtypje autentike edhe përmes vlerave dhe imazhit kombëtar vendas.
Më sakte për turistët e huaj, Ksamili është një destinacion i përsosur që ofron bukuri natyrore, kjo jo për hir të atyre që e administrojnë, përvojë kulturore të cunguar, dhe kosto të përballueshme në krahasim me standardet e tyre. Për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Shqipëri e Kosovë ky vend po bëhet gjithnjë e më shumë një mollë e ndaluar, ose më saktë e ëmbëlsuar përtej masës.