Mijëra turistë kanë zgjedhur që të vizitojnë muzeun Historik Oso Kuka në Shkodër.
Ai është kthyer në një destinacion të të huajve të cilët duan të njihen me historinë, traditën dhe kulturën e një qyteti si Shkodra.
”Jemi nga Belgjika. Do të qendrojmë 10 ditë në Shqipëri, por dy ditë në Shkodër.
Ky muze është me të vërtetë shumë i këndshëm, të shohësh trashëgimi kulturore, sepse është hera e parë që jemi këtu.
Dhomat sipër janë të ruajtura shumë mirë dhe krijon idenë se si ishin. Është vërtetë këndshëm” u shpreh një turist nga Belgjika.
Turistët shprehin mjaft interes për kulturën dhe historinë e shqipërisë.
”Jemi nga Franca, kemi ardhur mbrëmë, po nisim të vizitojmë.
Është këndshëm të vizitosh një vend të tillë, sepse është interesante të dish për historinë këtu, historinë e artit, kostumet tipike”, u shpreh një turiste nga Franca.
”Jam nga Italia, vërtet më pëlqen, është shumë bukur. Më pëlqen kjo pikturë, duke qënë se jam nga Italia, jam i lidhur me këtë lloj arti.
Do të vizitojmë muzeun “Marubi”, do të shkojmë në kalanë “Rozafa”, u shpreh një turist nga Italia.
Arkitektura është një tjetër dimension për të cilën turistët janë të interesuar.
”Jemi nga Hollanda, sapo arritëm këtu sot, na pëlqen qyteti, është interesante të mësosh për rrethina të caktuara dhe se si ka ndryshuar ariktektuara përgjatë shekujve.
Mendoj se Shqipëria në përgjithësi, por Shkodra në veçanti është e pasur me histori, ka plot gjëra për të eksploruar.
Më pëlqen piktura e madhe, ju sillni një histori të këndshme në të, muzeu i ka gjurmët e veta që në shekullin XIX me koleksionet e hershme të etërve françeskan dhe jezuitë, të cilët ruanin gjetje të epokave të ndryshme” u shpreh një turist nga Holanda.
Në këtë shtëpi-muze gjenden shumë objekte, të cilat vijnë nga të gjithë zonat e Shkodrës, si: Dukagjini, Malësia e Madhe, Zadrima dhe Kraja.
Në muzeun historik “Oso Kuka” të Shkodrës ndodhet gjithashtu edhe një galeri prej mbi 100 veprash arti.
