Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook, ka deklaruar se barrikadat në Veri duhet të hiqen menjëherë dhe se agresionit të orkestruar nga Serbia do t’i përgjigjen organet e rendit me gjithë3 fuqinë që kanë.
“Barrikadat e kriminelëve me maska në veri duhet të hiqen menjëherë. Kosova është vend i qytetarëve të lirë e punëtorë, pa dallim etnie e feje, gjinie e moshe. Kriminelët dhe rusofilët do të dështojnë. Republika e Kosovës do të fitojë”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti pohon se tashmë janë bërë disa ditë që “Serbia kërcënon Kosovën me agresion”.
“Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së”, citoi Kurti deklarimet e fundit të Vuçiç-it e Brnabiç-it.
“Ata duan një kthim të dyfishtë. E para, kthim në kohën e Milosheviç-it dhe të luftës. Së dyti, që çështja e Kosovës të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së”.
Krejt kjo, sipas Kurtit, “si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania (dhe ShBA-të), duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë (dhe Kinës)”.
Komenti i kryeministrit të Kosovë vjen pas vendosjes së barrikadave nga serbët në Veri të Kosovës dhe gjithashtu sulmeve të disahershme ndaj policisë.
“Kosova është shtet evropian, demokratik dhe pro-amerikan. Me këtë udhëheqje që ka, Serbia është autokratike, pro-aziatike dhe luftënxitëse. Ne nuk duam konflikt, ne duam paqe dhe progres, por agresionit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë që kemi”, shkruan kryeministri.
Kurti ka shkruar se bandat në veri tashmë e kanë zbuluar synimin e tyre të vërtetë, “etjen për gjak”.
“Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.
“Çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.
Në fund, kryeministri shkroi se “Ministri i brendshëm Sveçla është në kontakt me Komandantin e KFOR-it Ristuccia”.