Kurti i rrethuar me truproja, s’lejohet të dalë nga Kuvendi pas përleshjes me grushta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon të qëndrojë i rrethuar nga truprojat e tij në Kuvend, pasi që opozita nuk po e lejon të dalë jashtë

Siç edhe shihet nga pamjet e Nacionales, deputetët nuk po qëndrojnë në karrigat e tyre, derisa kryeministri shihet i rrethuar me truproja.

Kjo situatë, vjen pas përleshjes masive me grushta në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë derisa kryeministri Kurti po mbante fjalim, fillimisht, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e quantë“rrenc”.

Më pas, njëra prej deputeteve vendosi një fotografi në foltoren e Kuvendit, ku shihej kryeministri me “hundë të zgjatur”, që simbolizon gënjështrën.

Pas disa sekondave, letra u largua dhe u shqye nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Kjo e acaroi deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili hodhi ujë nga një shishe në drejtim të zëvendëskryeministrit Bislimi, dhe më pas, përleshja eskaloi ku ministrat e Qeverisë sulmuan deputetin Lushtaku dhe të tjerët që dolën aty.

Në pamjet direkte, shihet se deputetët janë përleshur me grushta, derisa ka ndërhyrë edhe sigurimi i kryeministrit Kurti.