Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar këngëtarin e njohur, Sabri Fejzullahu në ditëlindjen e tij të 77-të, duke thënë se shpirti i tij energjik dhe krijimtaria produktive “mund të përbashkojnë kombin tonë”.
Kurti ka shkruar në Facebook të hënën se Sabri Fejzullahu ka qenë forcë e vrullshme nga 1965-a dhe e ka formësuar muzikën pop “në Kosovë dhe më gjerë”.
“Ai me bashkëshorten Nera dhe djalin Ermalin, me vëllezër e mbesa, na pritën me ngrohtësi, dhe gjatë kësaj vizite, Sabriu ndau me ne një udhëtim magjepsës përmes gjashtë dekadave të karrierës së tij. Ai e nisi rrugëtimin e tij muzikor më 5 shtator 1965, dhe prej asaj dite ka qenë një forcë e vrullshme që ka formësuar muzikën pop në Kosovë dhe më gjerë. Gjatë bisedës, ai rrëfeu përjetimet e tij mbresëlënëse, duke përmendur bashkëpunimet me figura të shquara dhe momentet kyçe që shënuan karrierën e tij të pasur, si dhe përvojat e tij me njerëz të papërsëritshëm si Jusuf Gërvalla”, ka shkruar Kurti.
Kryetari i ekzekutivit ka shtuar se secila histori ishte pasqyrim i jetës dhe i ndryshimeve të mëdha politike. Sipas Kurtit, dashuria e Fejzullahut është e pamasë për artin dhe publikun.
“Çdo histori ishte një pasqyrim i jetës së ndryshimeve të mëdha politike nëpër të cilat kaloi Kosova, e ku mëson diçka më shumë edhe për atë që e ke ditur, gjithnjë të mbështjella me dashurinë e tij të pamasë për artin dhe publikun, e cila ndjehet në çdo performancë të tij. Sabri Fejzullahu, me 1098 këngë të shprehjeve të ndryshme muzikore dhe një trashëgimi artistike të pashoqe, është një thesar i gjallë i kulturës sonë. E falënderoj për këto rrëfime të paharrueshme nga kujtesa e tij e mrekullueshme dhe për gjithë ato vite të bukura përkushtimi të pakursyer që na ka dhuruar. Gëzuar ditëlindjen dhe shumë suksese të tjera përpara, Sabri!”, ka shtuar ai.