Kurti nuk përgjigjet për dështimin e konstituimit të Kuvendit: Shiu është për bereqet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sërish nuk është përgjigjur nëse nesër do të jetë sërish emri i Albulena Haxhiut për kryekuvendare.

Kurti u pyet për këtë çështje derisa mori pjesë në përurimin e një ure në Rogovë të Hasit.

“Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës punojnë tokën e shiu është për bereqet”, tha shkurt Kurti para gazetarëve.

Kuvendi i Kosovës që nga 15 prilli është mbledhur pesë herë, derisa në tri tentime nuk ka arritur t’i ketë 61 vota për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje vazhdon të mbetet emri i Albulena Haxhiut. Në tri votime, ajo s’ka marrë votat e nevojshme. Nga 61 sa duhen, Haxhiun e kanë votuar vetëm 57 deputetë.

Në Vetëvendosje kanë thënë se emri i saj do të jetë sërish të premten si i propozuar i tyre.

Partitë e tjera, PDK, LDK dhe AAK kanë kërkuar nga Vetëvendosje që të gjejnë një kandidat unifikues për këtë post, ngase siç kanë thënë ata emri i Albulena Hahxiut, për ta është i papranueshëm