Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq e emisarët Joseph Borrell e Miroslav Lajçak, shkruan Insajderi.
Kurti ka treguar arsyet pse nuk e ka pranuar këtë marrëveshje.
Ai ka akuzuar ndërmjetësit evropianë se kanë bërë zyrtar qëndrimin e Serbisë që ajo të kushtëzohet me Asociacionin.
Ai ka theksuar se ka qenë pala serbe ajo po e kushtëzon Kosovën, që fillimisht të nënshkruhet marrëveshja e 2013-ës për Asociacionin, dhe kjo sipas tij nuk do të ndodhë.
“Nuk mund të quhet propozim kur e lexon përmbajtjen e sheh që është kushtëzim…”, tha Kurti para gazetarëve ndërkohë ai u shpreh mes tjerash se “Është për të ardhë keq se pikërisht kur jam konstruktiv dhe bëj propozime, shkaktohet njëfarë lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu. Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar propozimin e Serbisë”.
“Këtë propozim këtë sekuencë se si duhet të jenë hapat se si duhet zbatuar marrëveshjen bazike. Pala tjetër, presidenti i Serbisë s’ka dhënë asnjë propozim dhe takimi nuk ka pasë një rezultat. S’ka mund të ketë kompromis meqë s’mund të ketë mes sekuencimit dhe kushtëzimit”.
Kryeministri u shpreh se sot e ka kuptuar se përse po vonohet procesi i dialogut.
“Unë sot e morra vesh që ka 6 muaj që nuk ec puna me zbatimin e sekuencuar të marrëveshjes, sepse është vënë kushtëzimi i Serbisë. Këtë dokument nuk e kam pasur më herët. Kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të emisarit Lajcak. Për të ecur para duhet të tejkalohet kjo”, tha Kurti para gazetarëve.
“Ata si ndërmjetës lehtësues edhe pala tjetër në anën tjetër e kanë tashmë propozimin tonë dhe do të duhej ata ta japin qëndrimin për këtë, sot nuk ka pasur kurgjo në tryezën e Brukselit përveç asaj që kam sjell unë”.