Në të gjithë botën është shpallur në kërkim, pasi Koreja e Jugut e akuzon për realizimin e një mashtrimi me kriptomonedha përmes të cilës arriti t’i vitdhte shtetasve koreano-jugorë plot 28 milionë euro.
Bëhet fjalë për shtetasin gjerman Stephen Morgenstern, i cili në faqen personale të internetit me të njëjtin emër e reklamon veten si një biznesmen i suksesshëm nga Gjermania, dhe poston artikuj për ecurinë e kriptomonedhave.
Por ajo që bie në sy është se artikulli i fundit i postuar në faqen e tij daton në vitin 2021, mesa duket pasi Morgenstern kishte realizuar mashtrimin përmes kompanisë digjitale “FutureNet” dhe kishte nuhatur se ishte në telashe me autoritetet koreano-veriore.
Stephen Morgenstern u arrestua këtë verë në Greqi, por mesa duket autoritetet greke menduan se ishte ide e mirë ta linin të lirë derisa po priste ekstradimin. Morgenstern e shfrytëzoi këtë mundësi për t’u arratisur nga Greqia drejt Shqipërisë.
Me të shkelur në tokën shqiptare, në aeroportin e Rinasit u ndez “drita e kuqe” e personit në kërkim ndërkombëtar. Menjëherë forcat policore të “FAST” e vunë në pranga, ndërsa Morgenstern nuk vonoi të pajtonte një prej avokatëve më të mirë në Shqipëri, Maks Haxhinë, për t’u përballur me telashet e tij ligjore.
61-vjeçari Morgenstern kishte shkuar në Rinas për të pritur gruan e tij që vinte nga Dubai, shtet ku figuron se ka një dyqan me makina luksoze. Por jo vetëm kaq, ai kishte menduar për gruan e tij duke i blerë edhe një vilë luksoze në periferi të Tiranës.
Fakti që Morgenstern, në një kohë kaq të vogël qëndrimi në Tiranë ka qenë kaq i mirinformuar për të kontaktuar njerëzit e duhur dhe për të investuar në zonat më të lakmuara të kryeqytetit, ngre dyshime të forta se ai ka patur pranë tij persona që e kanë orientuar më së miri. Në fund të fundit, vendi ynë nuk është më pak i njohur për vjedhje me kriptomonedha, që përflitet madje se kapin edhe shifrën e frikshme 2 miliardëve dollarë, në disa raste.