Jared Kushner dhe Ivanka Trump ndodhen në Shqipëri.
Kështu ka arritur të mësojë Albanian Post përmes burimeve konfidenciale, teksa vizita e tyre, të shoqëruar edhe nga fëmijët në këtë rast, është krejtësisht turistike dhe mund të shihet edhe si një ‘sy i fundit’ i hedhur në terren, përpara firmosjes së kontratës së majmë për projektin e shumëpërfolur të ishullit të Sazanit.
Siç kupton Albanian Post, Kushner dhe Trump kanë mbërritur në Shqipëri dhe më tej, me anije, do t’i drejtohen ishullit për një tur të radhës atje.
Vizita në vetvete do t’i paraprijë kështu firmës përfundimtare për marrjen në dorëzim të ishullit si një investim strategjik, ndërsa pritet edhe një e radhës, ku do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare me fondacionin e Katarit dhe grupin Kastrati për projektin.
Për t’u theksuar ndërkaq është fakti se parë situatën në Lindjen e Mesme dhe sulmet e fundit amerikane në Iran, siguria për familjen Kushner ka qenë në gradën më të lartë dhe forca sigurie të shumta e kanë shoqëruar çiftin e oborrit të Shtëpisë së Bardhë së bashku me fëmijët në Shqipëri.
Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, pati rrëfyer arsyet që e çuan atë drejt një investimi madhor në Shqipëri në fushën e pasurive të paluajtshme dhe se si rol për këtë ka luajtur që nga kryeministri Edi Rama, te natyra e jashtëzakonshme shqiptare, apo edhe klima shumë e favorshme për investimet e huaja.
Kushner, në një fjalë të mbajtur gjatë Forumit “Future Investment Initiative” në Tiranë, theksoi se si brenda një viti, e kuptoi që Shqipëria ia vlen të investosh.
Por, mbi të gjitha, ai ka veçuar mjedisin si pjesë kryesore.
“Pra, mjedisi natyror dhe ajo që e bën këtë vend kaq të veçantë është mjedisi që ndodhet atje. Dhe kështu kemi punësuar Arup-in, i cili është një nga inxhinierët kryesorë në Evropë, për të na ndihmuar me programet e duhura të konservimit. Nëse nuk e respektojmë mjedisin, zhvillimi që do të krijojmë atje nuk do të jetë aq i veçantë, kështu që duhet të sigurohemi që ta ruajmë vërtet mjedisin”, shpjegoi ai.
Në fakt, sipas Kushneri, qarkulloi mediatikisht edhe një histori që thoshte se ata po dëmtonim një deltë lumi.
Por, që më pas doli që ishte 8 milje larg dhe nuk kishte të bënte fare me projektin e tyre, kështu që ai mendon se së bashku me kompaninë, kanë arritur t’i bëjnë njerëzit ta pranojnë këtë.
“Dhe kur të publikojmë planet, njerëzit do të shohin se si e kemi përqafuar mjedisin vendor dhe jemi përpjekur vërtet të bëjmë diçka që do ta përmirësojë, por gjithçka varet nga vendndodhja”.
Për këtë të fundit, përmendi afërsinë me Italinë dhe Greqinë.
“Pra, ky projekt është 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuzi, dhe siç thashë, ka një aeroport të ri që do të hapet shumë shpejt dhe do të jetë 10 minuta larg me makinë nga ky projekt, kështu që bukuria natyrore është e pabesueshme”.
Kushner shton më tej: “Vendndodhja është e jashtëzakonshme dhe ndodhesh pikërisht në mes të Mesdheut, por përsëri, për shkak të historisë së keqe që ky vend kishte deri në vitet ’90, ishte vërtet i pazhvilluar, kështu që nuk ke një mundësi të tillë në Mesdhe ku ka pasur shumë zhvillim dhe pastaj gjithçka është e mbirregulluar, ku asgjë nuk mund të ndërtohet dhe asgjë nuk mund të bëhet”.
“Pra, këto gjëra po bashkohen dhe ne, mendoj se empirikisht, ndiheshim sikur kjo kishte shumë kuptim, kështu që kemi shpenzuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar këtë përpara, dhe mendoj se do të jemi në gjendje të bëjmë diçka shumë spektakolare, të cilën do ta shpallim shumë shpejt”.