Policia ka vendosur në pranga 28-vjeçarin Beqir Selamaj alias Beqir Murati, si autor i vendosjes së eksplozivit në lokalin në pronësi të nënës së Bledar Birçajt, ngjarje e ndodhur më 8 Dhjetor në lagjen “Uji i Ftohtë”.
Kujtojmë se Bledar Birçaj, u ekzekutua me breshëri plumbash më 10 Maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen “Hajro Çakërri”
Lokali “The Boss”, i cili funksiononte si bar, restorant dhe piceri, ishte dhënë me qira dhe nuk kishte funksionuar prej kohësh, por ishte marrë sërish nga pronarët (vëllezërit e Bledar Birçajt) dhe kishin vetëm pak kohë që e kishin vënë në punë.
28-vjeçari i arrestuar rezulton me precedent penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, përmes një pune të thelluar hetimore dhe profesionale, finalizuan operacionin e koduar “DANGER”.
Bazuar në veprimet intensive hetimore dhe dokumentimin me prova ligjore, u bë i mundur ndalimi i shtetasit B. S. alias B. M, 28 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” dhe me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë.
Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celular, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.”– njofton policia.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale, iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.