Ky është presidenti i ri i Bankës Botërore, preferencë e Biden-it

Ajay Banga, kandidati i SHBA-së, është zgjedhur presidenti i ri i Bankës Botërore, konfirmon institucioni në një deklaratë.

Banga ishte kandidati i vetëm dhe përzgjedhja e tij nuk është surprizë.

Ajay Banga është një amerikan me origjinë indiane, i emëruar nga presidenti amerikan Joe Biden.

Ai do të zëvendësojë David Malpass, gjithashtu një amerikan, i cili më parë ka shërbyer në administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Ai duhet të marrë detyrën më 1 qershor, kanë thënë nga Banka Botërore, transmeton AFP.

Presidenti i sapozgjedhur ka thënë vazhdimisht se prioritet do të jetë financimi i luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe reforma e Bankës Botërore.

Biden e përgëzoi Banga-n për “zgjedhjen e tij të shkëlqyer” për të udhëhequr Bankën Botërore, të cilën ai e përshkroi si “një nga institucionet më kritike të njerëzimit për uljen e varfërisë dhe përhapjen e prosperitetit në mbarë botën”.

“Ajay Banga do të jetë një udhëheqës transformues, duke sjellë ekspertizë, përvojë dhe inovacion në pozicionin e presidentit të Bankës Botërore,” tha Biden.

“Ai do të ndihmojë në drejtimin e institucionit ndërsa zhvillohet dhe zgjerohet për të adresuar sfidat globale që ndikojnë drejtpërdrejt në misionin e tij kryesor të reduktimit të varfërisë – duke përfshirë ndryshimin e klimës.”

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, një amerikan ka udhëhequr Bankën Botërore, ndërsa kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) është gjithmonë një evropian