Laboratori i Restaurimit, Prifti: Rehabilitim i më shumë se 3000 ikonave e objekteve muzeale

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, herë pas here prezanton për publikun ikonat, domethënien si dhe të dhëna interesante mbi prejardhjen e këtyre veprave të artit. Por pas këtyre imazheve, të publikuara në rrjetet sociale qëndron një punë e madhe dhe e vazhdueshme e Laboratorit të Restaurimit.

Drejtorja e Muzeut Kombëtar i Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti tha për ATSH-në se, Laboratori i Restaurimit dhe Konsolidimit është një pjesë përbërëse, shumë e rëndësishme e MKAM, që në hapje të tij, prej 1980-ës.

Ikonat shekullore u mbijetuan kushteve atmosferike dhe degradime të ndryshme, u mblodhën nga studiues dhe akademikë si Theofan Popa, etj., të cilët gjatë kohës së diktaturës i mblodhën dhe i shpëtuan nga shkatërrimi i ideologjisë ateiste në emër të “trashëgimisë kulturore”. Ikonat u sollën në Korçë, ku u restauruan, u mbrojtën dhe u ekspozuan në Muzeun e Artit Mesjetar.

Prej vitit 2018, sipas ligjit, laboratori u bë Qendra e Restaurimit dhe Studimit të Ikonave.

Fjoralba Prifti shpjegon se, çdo ikonë apo objekt muzeal i nënshtrohet restaurimit dhe konsolidimit përpara se të ekspozohet dhe se Laboratori i Restaurimit, deri më sot ka arritur të restaurojë pak më shumë se 3000 ikona e objekte muzeale. Ikonat nuk kanë të njëjtat problematika, ndaj dhe koha e restaurimit të tyre zgjat minimalisht 3 muaj, por ka patur ikona për të cilat janë dashur më shumë se 3 vjet për t’i restauruar.

Aktualisht në laborator gjenden 6 ikona në proces restaurimi. Drejtorja e MKAM tha se çdo fillimviti bëhet një planifikim si dhe përzgjedhja e ikonave me problematika më të mëdha. Njëkohësisht bëhet një përzgjedhje në bazë të aktiviteteve të cilat do të zhvillohen gjatë vitit, cilat ikona planifikohen për ekspozim, për studime, etj.

Fjoralba Prifti tha se, për shkak të problematikave të shumta, është zgjatur koha e restaurimit të përcaktuar në vitin 2024, edhe për 4 ikona të tjera. Njëra prej tyre ishte ajo e Shën Marisë, e publikuar pak ditë më parë nga MKAM.

Pas kësaj pune me rëndësi të madhe për trashëgiminë e artit mesjetar, qëndron një grup prej 3 restauratorësh specialistë.

Genci Proko, përgjegjësi i Qendrës së Restaurimit dhe Studimit të Ikonave, ka një përvojë të gjatë në këtë laborator. Ai është specializuar në Greqi dhe ka qenë pjesëmarrës në shumë bashkëpunime dhe punëtori, të cilat kanë shërbyer në ngritjen profesionale të tij. Aktualisht është një nga specialistët më të mirë në vend për sa i përket restaurimit të ikonave. Bashkë me të, në laborator janë edhe dy specialistë të tjerë: Romi Kallço dhe Genti Postoli, edhe këta me një përvojë të gjatë në këtë fushë.

Çdo ikonë apo objekt tjetër muzeal i fondit të MKAM përpara se të ekspozohet kalon nga ky grup restauratorësh për procesin e dezinfektimit dhe evidentimin e dëmtimeve. Më tej konsolidohet shtresa e parë e grundit, bëhet pastrimi nga verniku, ritokimi dhe kalojnë përsëri në lyerje me vernik për mbrojtje.

Ikonat hap pas hapi fotografohen dhe kartelizohet çdo ndërhyrje, duke përditësuar të dhënat dhe kështu ruhet dhe pasurohet me informacion çdo ikonë./atsh