Emigrimi i pandalshëm vitet e fundit ka shkaktuar boshllëqe në tregun e punës. Shumë industri punojnë nën kapacitet, ndërsa biznese të tjera kanë rritur pagat. Nuk po kërkohen më punonjës të trajnuar apo kualifikuar, por vetëm dikush që të jetë në vendin e punës.
Fabrikat e mëdha të prodhimit janë ato që po hasin vështirësi serioze në aktivitetin e përditshëm. Duhen punëtorë për cikle të ndryshme prodhimi dhe ata mungojnë, duke krijuar jo pak probleme, shkruan A2.
Bardhyl Baltëza ka fabrikën më të madhe të riciklimit të letrës në Shqipëri. Në zonën e Porto Romanos ku ndodhet fabrika nuk ka fuqi punëtore, pasi të rinjtë dhe ata që mund të punojnë kanë emigruar. Rruga e vetme që biznesi të vazhdojë punën është marrja e punëtorëve nga jashtë, ku është një proces jo i lehtë dhe me kosto, por që me kushtet aktuale të tregut të punës mbetet e vetmja zgjidhje.
“Në fabrikën tonë ka edhe të huaj. Nga India. Kemi marrë vetëm nga India, por sërish jemi në vështirësi. Morëm 25 punëtorë, por fatkeqësisht 10 na ikën. Njëherë 5 dhe pastaj 5 të tjerë. Tani po presim të marrin 10-15 të tjerë pasi kemi mungesa të mëdha për fuqi punëtore. Në ikën punëtorët. Këtu kemi pasur 168 punëtorë. Momentalisht ne kemi nevojë për minimumi 20 persona. Është një sëmundje që nuk po e zgjidhim dot. Është shumë e vështirë. Këta që kemi kanë kaluar një kurs specializimi, kanë eksperiencë. Ata vijnë fillestarë. Gjuha nuk është problem se flasin edhe ndonjë fjalë anglisht ata indianët. Ja kemi krijuar të gjitha kushtet. I trajnojmë. I kemi bërë hotel, restorant, i kemi vënë dy gra që i shërbejnë. Ka kosto dhe vështirësi të mëdha. Ata kanë ardhur nëpërmjet agjencive me kontratë pune u shpreh Baltëza në EconoMIX nga Aurora Sulçe në A2 CNN.
Ai shton se problemi kryesor me punëtorët nga vendet aziatike, është se ata e shohin Shqipërinë si një trampolin për t’u larguar drejt vendeve të BE-së. “Problemi kryesor është se ne morëm 25 dhe na ikën 10. Madje edhe para policisë ne jemi fajtorë pasi e kishin vendin këtu. Ne i mbajtëm pasaportat, por sërish ikën. Ata nisen nga India me mentalitetin për të shkuar në Europë dhe Shqipërinë e shohin si rrugë”, tha Baltëza në A2.
Sa i përket kostove, sipërmarrësi shprehet se është e lartë. “Marrin rrogën, minimalja është 400 dollarë në muaj. Kanë ushqimin e hequr, fjetjen. Aty janë dy gra që i shërbejnë. Janë të gjitha investime këto”.