J.A., 33-vjeç nga Tetova, është arrestuar sot nga Policia e Maqedonisë së Veriut për vendosjen e flamurit shqiptar në oborrin e kishës “Sht. Naumi i Ohrit” në Kodrën e Diellit, në Tetovë.
Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njoftoi se i arrestuari është një shqiptar etnik nga fshati Reçicë e Vogël e Tetovës.
Sipas autoriteteve maqedonase, i dyshuari e hoqi të martën nga shtiza flamurin e Kishës Ortodokse Maqedonave dhe e vendosi aty flamurin shqiptar.
“Pas dokumentimit te rastit ndaj shtetasit J.A. i cili ndodhej me një person tjetër në momentin e uljes së flamurit të kishës, do të vijojë një dorëzim përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Maqedonisë së Veriut.
Përveç arrestimit të të dyshuarit, flamuri shqiptar është hequr nga oborri i kishës dhe në vend të tij është rikthyer flamuri i Kishës Ortodokse Maqedonase, ka njoftuar sot Stojançe Angellov, zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme.