Lë Italinë për vendlindjen, fermeri nga Libofsha e Fierit investon në vreshtari

Fermeri Romeo Mile nga Libofsha e Fierit pas një periudhe të gjatë 25-vjeçare emigrimi në Siçili të Italisë ku punonte në vreshtari , vendosi të rikthehet në vendlindje dhe të investojë në tokat e tij .

Ai kujton se si nisi mbjelljen e rrushit në vreshta në 4 dynym tokë 10 vjet më parë e deri sot kur ka arritur të shtojë sipërfaqen me vreshta deri në 5 hektarë, duke marrë dhe disa toka me qira.

Në rrugëtimin e tij në kultivimin e vreshtarisë Romeo ka treguar se për të pasur një rendiment sa më të lartë një pjesë të varieteteve të rrushit i ka sjellë nga Sicilia por së fundmi i ka blerë në tregun vendas por fidan të importuar nga Italia.

Një nxitje dhe ndihmë në realizimin e këtij suksesi Romeo e ka arritur edhe nga përfitimi i skemave subvencionuese të qeverisë shqiptare .

Sot Romeo arrin të prodhojë 4 deri në 5 ton rrush në ditë, dhe në periudhën e pikut kur kërkesat janë më të mëdha ai mund të arrijë një prodhim prej 8 ton rrush në një ditë.

Rreth 80% të prodhimit shkon për eksport në Kosovë dhe vendet e rajonit ndërsa pjesa tjetër në tregun vendas me një çmim të kënaqshëm.

Gazetar Norel Zaimi