LETRA PËR SHQIPTARËT MË 1946: Pse Mid’hat Frashëri e urreu deri në vdekje komunizmin

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë ka përkujtuar 75- vjetorin e ndarjes nga jeta të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit, albanologut, diplomatit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Mid’hat Frashëri (1880-1949)

Mid’hat Frashëri i biri i rilindësit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit, Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv.kryetar, ishzv.kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë”, rrëfen studiuesi Uran Butka.

Gjithashtu, ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901 botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme, ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani. Në korrik 1908, Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.

Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte ministër i Punëve Botore dhe PostTelegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920 ishte ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920. Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”.

KRIJIMTARIA

Mid’hat Frashëri nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin Kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mid’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919). Ka përkthyer në shqip veprat Guillaume Tell të Lamartinit (1898). Bëje të mirën pa hidhe në det e Franc Hofmanit (1900), Robinson Crusoe e Defosë (1909), Shkurtabiq’ i verdhë. Miu i vockël. Sorkadhe e bardhë të Marie Catherine d’Aulnoy (1913, ribot. 1934) dhe Psikologjia e edukatës e Gustave le Bon (1923).

Mbas çlirimit të Shqipërisë, u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mid’hat bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e Mid’hat bej Frashërit. Sot rreth 40,000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosën që çmimi për bibliofilinë të emërtohet “Bibliofili Lumo Skëndo”. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha më 23 prill 2006.

Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mid’hat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa, At Paul e V.Rado.

THIRRJA

Mid’hat Frashëri e urreu deri në vdekje komunizmin e cili po sundonte Shqipërinë. Për të frenuar me tej qeverisjen diktatoriale, Mid’hat Frashëri në vitin 1946 u drejtoi një letër bashkatdhetarëve dhe miqve të tij në Amerikë. Letra zbërthen çdo pikëpamje të tij mbi situatën e krijuar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësimet e tij, revoltën, trishtimin dhe parashikimet mbi sistemin e ri që po vendosej në Shqipëri.