Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli dhe Turqia janë prapa rënies së Bashar al-Assadit nga pushteti në Siri.
Ali Khamenei ka thënë se kanë prova për këtë, por pa treguar detaje se për çfarë bëhet fjalë.
“Nuk duhet të ketë dyshim se ajo që ndodhi në Siri është produkt i një plani të përbashkët amerikan dhe sionist. Po, një qeveri fqinje e Sirisë luan, ka luajtur dhe po luan rol të dukshëm në këtë drejtim – të gjithë e shohin këtë (fjala për Turqinë) – por komploti kryesor, organizatori dhe qendra komanduese janë në Amerikë dhe në regjimin sionist. Ne kemi prova. Kjo dëshmi nuk lë vend për dyshim”, ka thënë ai.
Irani ishte një nga përkrahësit kryesor të pushtetit diktatorial të Assadit bashkë me Rusinë dhe Kinën.
Pas më shumë se 50 vjetësh, Siria nuk do të jetë më në duart e familjes Assad.
Rebelët që kanë marrë në dorë pushtetin kanë thënë se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me shtetet perëndimore.