“Litiumi kundër Kosovës”? Nënshkruhet marrëveshja Serbi-Gjermani-BE

Bashkimi Europian dhe Beogradi kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë BE-së akses për të shfrytëzuar pasuritë nëntokësore të Serbisë. Pritet që në Serbi të nisë punën miniera më e madhe e litiumit në Europë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ishte të premten në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Serbisë, Alexander Vucic, dhe zv/Presidentin e Komisionit Europian, Maros Sefcovic, ku u firmos një Memorandum Mirëkuptimi midis BE-së dhe Serbisë për një partneritet strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e prodhimit të baterive dhe automjetet elektrike.

Sipas Vuçiçit, kjo minierë ka potencialin për të nxjerrë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. PPB-ja e Serbisë për vitin 2023 ishte 75 miliardë dollarë.

Opozita serbe dhe aktivistët e mjedisit kanë paralajmëruar se do të bllokojnë hekurudhat dhe rrugët kryesore nëse qeveria do të vijojë me projektin.

Kancelari gjerman Scholz theksoi se projekti do të bëhet vetëm nëse “është i orientuar drejt standardeve që ne i konsiderojmë korrekte”.

Vizita e Scholz vjen pasi qeveria serbe rivendosi licencën për Rio Tinto për të zhvilluar minierën më të madhe të litiumit në Europë, që konsiderohet dhe një thesar tepër i çmuar në këto kohë kur lulëzon industria e automjeteve elektrike. Nëse shtyhet para, projekti 2,4 miliardë dollarë mund ta shndërrojë Serbinë në një vend tërheqës duke mbuluar 90% të nevojave aktuale të Europës për litium.