Lufta në Ukrainë/ SHBA distancohet nga sulmi në Belgorod të Rusisë

SHBA është distancuar nga një sulm në Rusi, për të cilin Moska thotë se përfundoi me humbjen e kryengritësve të armatosur që hynë nga Ukraina. Pjesë të rajonit kufitar të Belgorodit në Rusi u sulmuan të hënën, në një nga bastisjet më të mëdha ndërkufitare që kur Moska pushtoi fqinjin e saj vitin e kaluar.

Rusia më vonë publikoi fotografi të automjeteve ushtarake perëndimore të braktisura ose të dëmtuara, duke përfshirë Humvees të prodhuar në SHBA.

SHBA këmbënguli se nuk “inkurajoi apo mundësoi sulme brenda Rusisë”.

Një zëdhënës i departamentit të shtetit pranoi raportet që qarkullojnë në mediat sociale dhe gjetkë se armët e furnizuara nga SHBA ishin përdorur, por tha se vendi i tij ishte skeptik në këtë kohë për vërtetësinë e këtyre raporteve.

Fshatrat në Belgorod pranë kufirit u evakuuan prej bombardimeve, ndërsa Rusia thotë se 70 sulmues u vranë dhe ka këmbëngulur se luftëtarët ishin ukrainas.

Por Kievi mohon përfshirjen dhe dy grupe paraushtarake ruse që kundërshtojnë presidentin rus Vladimir Putin thonë se ata qëndrojnë pas inkursionit. Bastisja e së hënës bëri që Moska të shpallte një operacion kundër terrorizmit, duke u dhënë autoriteteve kompetenca të veçanta për të shtypur komunikimet dhe lëvizjet e njerëzve.

Përveç vrasjes së dhjetëra të atyre që i përshkroi si “terroristë ukrainas” në sulme artilerie dhe ajrore, ministria ruse pretendoi se kishte kthyer pjesën tjetër të luftëtarëve në kufirin ukrainas.

Por zyrtarët ukrainas thanë se sulmuesit ishin rusë, nga grupet e njohura si Legjioni i Lirisë së Rusisë dhe Korpusi Vullnetar Rus./ BBC