Presidenti francez Emmanuel Macron ka fajësuar autoritetet në Kosovë për “dështimin e respektimit të marrëveshjes” me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për të përshpejtuar integrimin e tyre në bllokun evropian.
“Autoritetet kosovare kanë vendosur të mos respektojnë marrëveshjen e arritur, procesin që ishte iniciuar me ndërmjetësimin evropian, ku ishim të përfshirë me kancelarin Scholz dhe që kishte mundësuar përparim të konsiderueshëm pikërisht falë negociatorit Miroslav Lajçak dhe gjithashtu përfshirjes së Josep Borrellit”, tha Macron.
Macron këto komente i bëri në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij sllovake, Zuzana Çaputova, në margjinat e forumit GLOBSEC, që po mbahet në Bratisllavë të Sllovakisë.
“Ne ua kemi bërë shumë të qartë autoriteteve kosovare se ishte gabim të vazhdohet me këto zgjedhje brenda kornizës që, siç e dini, ishte pothuajse mospjesëmarrje”, tha Macron.
Më tej, presidenti francez njoftoi se së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Moldavi do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Shpresoj që nesër, në margjinat e Komitetit Politik Evropian me kancelarin Scholz, siç bëmë në margjinat e seancës në Pragë, të mund t’i shohim së bashku presidenten e Kosovës dhe atë të Serbisë. Ka një përgjegjësi shumë të qartë dhe një dështim në respektimin e një marrëveshjeje, e cila megjithatë ishte e rëndësishme dhe e cila ishte lëshuar vetëm disa javë më parë”, tha Macron.