Macron i dorëzon Kadaresë dekoratën më të lartë të shtetit francez

Presidenti francez, Emmanuel Macron, vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, e nisi këtë mbrëmje me dorëzimin e dekoratës më të lartë të Republikës së Francës për shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare.

Tashmë për Francën – vend që shkrimtari aq shumë e deshi, aq shumë e frymëzoi – Kadare është “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Macron me elozhe e nisi fjalën për Kadare duke rikujtuar se për autorin “të shkruaje do të thotë të luftoje”.

Për presidentin francez, Kadare është nga ata që ia rrëmben çdo fjalë heshtjes, nga ata që çdo roman rrezikonte të ishte epitaf i karrierës.

“Ju jetuat dhe krijuat si njeri i lirë, në një vend që nuk ishte i tillë”.

“’Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ solli te francezët një adhurim për ju. Më kanë rrëfyer se ju e njihni pasurinë tonë dhe mund t’ju them se ju jeni bërë për të jetuar në Paris”.

Ai theksoi se Kadare kontribuoi në zgjimin e madh të popujve që ngritën perden e hekurt.

“Të jeni i sigurt se vepra juaj nuk ka humbur asgjë nga vlera e saj, liria që i mbyllnin gojën ka pëshpëritje më të forta se britmat. Ka treguar atë që bashkon vendet tona në mënyrë të pandashme dhe e mbart kryeministri juaj me shumë talent, këtë dashuri për Evropën”.

Për të, nië lëvizje luhatëse mes dy kombeve bën një lidhje të forta mes nesh.

“Nga ju kanë lindur shumë tekste që kanë ngritur shume ura mes nesh. Në veprat tuaja kujtojmë që Evropa është një ëndërr dhe një vend i përbashkët. Ju vazhdoni ta përjetoni këtë gjë”.

E kështu për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Evropës, Macron tha se kishte nderin sot “t’ju ngre në gradën e ‘Oficerit të Lartë në Urdhrin e Legjionit të Nderit’”.