Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se janë zbuluar piktura murale në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam. Pikturat më herët kishin qenë të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere.
Ndërhyrjet në këtë kishë, i përkasin fazës së parë të punimeve të parashikuara në një projekt, i cili është planifikuar të vazhdojë edhe në vitin 2025.
Bëhet fjalë për projektin “Studimi për konservimin e pikturës murale, elementeve dekorative me mermer të arkitekturës dhe dyshemenë e kishës bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam”, në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit nënshkruar mes ish-Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine.
Në Manastirin e Mesopotamit ndërhyrjet nisën prej datës 27 gusht dhe fokusohen në ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe./atsh
- Manastiri Shën Kollit në Mesopotam unikal në Evropë: Edhe katolik edhe ortodoks. Manastiri i Shën Kollit në Mesopotam është nga të rrallat në Evropë, ku kryheshin në të njëjtën kupolë si ritet katolike, ashtu edhe ato ortodokse. Këto objekte kulti janë të rralla përgjithësisht. Gjatë fundit të shekullit XIII, anzhuinët, dinastia franceze, që kishin nën zotërim edhe një pjesë të Arbrit, marrin për nuse në oborrin e tyre vajzën e despotit të Epirit. Në atë kohë, Mesopotami bënte pjesë në despotatin e Epirit. Ishte manastir që varej direkt nga patrikana e Kostandinopojës. Në Manastirin e Shën Kollit në Mesopotam ka dy altarë. Ka dy variante për to: një objekt kulti ka dy altarë, ose kur ato janë për dy shenjtorë, ose në rastin që një altar përdorej për ortodoksët e një për katolikët, të cilët bashkëjetonin në të njëjtën kupolë. Kjo është arsyeja që kemi të bëjmë me një ndërtesë, e cila ka një formë unikale thuajse në këto përmasa, në këto vlera, në tërë kulturën bizantine.