Marin Barleti – historiani, letrari e humanisti në shërbim të së vërtetës

Katër studiues janë bërë bashkë të enjten në Institutin Albanologjik të Prishtinës në konferencën shkencore “Vepra e Marin Barletit” për ta zbërthyer atë në qasje të ndryshme. “Barleti shkrimtar”, “Marin Barleti në një optikë studimesh ndërdisiplinore”, “Barleti, Bardhi, Naimi, Noli…” dhe “Historia e Barletit si artefakt letrar”, kanë qenë temat e kumtesave. Barleti është konsideruar si historiani, letrari e humanisti në shërbim të së vërtetës e vepra e tij ende vazhdon të studiohet

Dëshmi e figurës poliedrike dhe e peshës së veprës së Marin Barletit ka qenë edhe tryeza njëditore shkencore, e mbajtur të enjten, organizuar nga Dega e Letërsisë e Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Katër studiues kanë qëmtuar veprën e tij nga këndvështrime të ndryshme, por që bashkohen në një pikë: se studimi i veprës së Barletit nuk soset kurrë, se përherë dalin dëshmi e të dhëna të reja. 
“Vepra e Marin Barletit”, ka qenë titulli i konferencës. E ka hapur studiuesi e shkrimtari Gëzim Aliu, me kumtesën “Barleti shkrimtar”. 

E ka konsideruar Barletin si kultivuesin e parë të prozës së gjatë rrëfimtare në kulturën shqiptare dhe këtë e dokumenton me dy librat e tij për dy ngjarje të mëdha historike: epokën e luftës për liri, të udhëhequr nga Skënderbeu dhe rënien nën sundimin osman. Periudhën e Skënderbeut, Barleti e rrëfen në librin e tij “Historia e Skënderbeut”. Rënien nën sundimin osman në librin “Rrethimi i Shkodrës”.

“Nëse në librat ‘Historia e Skënderbeut’ dhe ‘Rrethimi i Shkodrës’, autori real është edhe narrator, edhe komentator, edhe stilist, edhe letrar, edhe ndërtues atmosfere letrare, herë-herë edhe artistike, në librat tipikë shkencorë historikë, siç do të shkruhen më vonë apo siç pretendohet të shkruhen, këto elemente nuk janë dhe nuk do të duhej të ishin të pranishme. Prandaj, storien për Skënderbeun mund ta lexojmë si prozë të gjatë letrare-historike, siç mund ta lexojmë edhe storien për rrethimin e Shkodrës”, ka thënë Aliu, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. 

“Marin Barleti në një optikë studimesh ndërdisiplinore”, ka qenë tema e kumtesës së Evalda Manovi-Pacit dhe, sipas saj, Barleti zë vend të veçantë në historinë letrare shqiptare edhe si studiues që ka dhënë kontribut të madh, duke paraqitur periudhën e kohës së Skënderbeut. 

Studiues të veprës së tij e kanë konsideruar Barletin si zë më vete e përfaqësues me një rol të veçantë në disa pikëpamje, ndër të cilat ajo ka përzgjedhur vendin që tradicionalisht i është rezervuar në trajtesat, botimet dhe punimet që kanë pasur objekt të vëmendjes historinë e shkrimit dhe historinë e letërsisë shqipe.

“Rëndësia referenciale e një autori si Marin Barleti mund të rimerret në disa vështrime, përfshirë edhe kujdesin, me të cilin janë realizuar vite më parë shqipërimet e veprave të tij, duke u marrë përsipër prej klasicistëve më të njohur në traditën e studimeve shqiptare. Besnikëria e korrektësia shkencore në këtë proces, formimi dhe në dijet e historiografisë kanë mundësuar që këto shqipërime të jenë po aq burime të vyera për të rindërtuar diskutime të ngjashme mbi çështje që janë bërë pjesë e trajtesave shkencore në lidhje me autorët humanistë të arealit evropian, por në veçanti me autorët që ruajtën lidhjet me ngjarjet e përjetuara apo edhe të dëgjuara, duke i bërë pjesë të rrëfimeve të tyre më të rëndësishme”, ka thënë Manovi-Paci.

Studiuesi Fadil Grajçevci, në temën “Barleti, Bardhi, Naimi, Noli…”, ka theksuar se këta autorë me punimet dhe librat e tyre i përbashkon Skënderbeu dhe atdhetarizmi, pavarësisht se kanë vepruar në kohë të ndryshme. Sipas tij, edhe Barleti – sikurse shumë historianë të tjerë, humanistë të kohës së tij – historinë e konsideron si degë të letërsisë. Ka cituar Barletin nga “Historia e Skënderbeut” ku shkruan se ky libër “është dashur të shkruhet nga ndonjë penë me fat”, ndonjë ”lavdëtar”, ndonjë “shkrimtar”. 

“Veprat e historisë do të duhej t’i shkruanin shkrimtarët”, ka cituar Grajçevci para se të futen në tërheqjen e paraleleve midis figurave të shquara të historisë e të letrave shqipe. 

“Barleti, Frang Bardhi, Naim Frashëri dhe Fan Stilian Noli janë ndër figurat më të rëndësishme shqiptare dhe e përbashkëta e tyre qëndron te fakti se të gjithë këta kanë shkruar për Skënderbeun në periudha të ndryshme. Bardhi i njohur për lexuesit tanë me (veprën) me titull të shkurtuar ‘Skënderbeu’, qëllim të vetëm kishte hedhjen poshtë të gënjeshtrave dha falsifikimeve të ‘historiografit’ Jan Tomku, i cili ia mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare”, ka thënë Grajçevci.

Sipas tij, Barleti dhe Naimi përfaqësojnë në mënyrë më të plotë periudhat letrare e kulturore kur ata krijuan, duke u bërë sinonimet domethënëse të tyre.

“Barleti, përfaqësuesi më i plotë e më i rëndësishëm i periudhës së humanizmit, kurse Naimi, përfaqësuesi më i plotë e më i rëndësishëm i periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare”, ka thënë ai. 

Kur ka folur për Barletin dhe Nolin është ndalur tek edukimi i tyre. 

“Edhe Barleti, edhe Noli ishin edukuar si priftërinj. Që të dy lanë të shkruara dhe vepra me karakter fetar, por në historinë e kulturës shqiptare vend të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm do të zënë: Barleti si historian e shkrimtar, kurse Noli si veprimtar politik, shkrimtar, historian, publicist, përkthyes e orator”, ka thënë Grajçevci, ndër të tjera, autor i studimit monografik, “’Historia e Skënderbeut’ e Marin Barletit dhe kultura shqiptare në shekullin XV”, botuar më 1998. 

Studiuesi i letërsisë dhe kritiku Anton Berishaj e ka cilësuar historinë e Barletit si artefakt letrar. E ka studiuar veprën e tij edhe nga këndi i strukturalizmit, duke e parë nga një botë fiktive, e duke i përjashtuar trillimet, por me karakter tipik letrar.

Ka thënë se karakteri letrar i veprës së Marin Barletit është njohur nga shumë studiues, madje edhe nga historiani i njohur Aleks Buda, sipas të cilit, humanisti i shekujve XV dhe XVI kishte një koncept të dyanshëm të historisë, e cila duhej t’i shërbente së vërtetës, të ishte mësuese e jetës, t’i mësonte njerëzit t’i hapin sytë, e të shikonin mirë se si duhej mbajtur timonin për t’i drejtuar punët e njerëzimit. 

“Por, nga ana tjetër, i jepte rëndësi konceptit estetik të historisë, duke i shërbyer edhe të bukurës”, ka cituar Berishaj. Qasja e Barletit ndaj historisë, sipas Berishajt, zbardhet edhe nga shënimet e tij.  

“Do ta shoh pak nga koncepti i statusit të narracionit që i kanë dhënë teoricienë të historisë, posaçërisht teoricienët strukturalistë dhe semiologë, të cilët me të vërtetë gati sa i konverzojnë me pikëpamjet e tyre teorike lidhur me statusin e tekstit shoqëror narrativ si proces të ndërtimit te sugjerët. I nënshtrohet procesit të modelimit të një bote që në të vërtetë për autorë të ndryshëm është edhe fiktiv, por jofiktiv në kuptimin e trillimit të përrallave, por ka karakter tipik letrar. Duke u dëshmuar edhe nga vetë Barleti në lidhje me këto teori që në tekstin e shkurtër hyrës, i cili u paraprinte tre librave që kanë të bëjnë në lidhje me librin ‘Rrethimi i Shkodrës’”, ka thënë Berishaj në kumtesën me titull “Historia e Barletit si artefakt letrar”. 

Artefakt, në kulturën shqiptare dhe jo vetëm, mbetet krejt vepra e Barletit, e cila vazhdon të studiohet./koha.net

Dardan Mirena