Marrëveshja Rankoviq-Tito për “çarmatosje” e dëbim të shqiptarëve

“Së pari e njoftova Titon dhe më pastaj, në mbledhje e informova edhe sekretariatin e Komitetit Ekzekutiv. Lidhur me aksionin, pajtueshmëria ishte e plotë. Tito na i zuri për të madhe se pse armët nuk ishin mbledhur më herët! Në linjën ushtarake, gjenerali Ivan Goshnjak (1909 – 1980) jo vetëm që e konfirmoi vlerësimin e tillë të situatës në Kosovë, por ai aty i paraqiti edhe të dhënat e tij (të dhënat e KOS-it – S. L.). Unë i sqarova vonesat lidhur me motivet politike, sikurse dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve, pasi ata në fakt kurrë nuk janë shkëputur me dëshirë prej armëve!”, dëshmon Aleksandar Rankoviq në “Shënime ditore”.

Libri i Aleksandar Rankoviqit, “Shënimet ditore”, i botuar në vitin 2002, fragmente të të cilit janë të përkthyera dhe përdorura në këtë artikull, sipas dëshmive të botuesit janë shënime të mbajtura duke filluar menjëherë pas mbajtjes së Plenumit të Brioneve dhe ato janë shkruar me dorë në shkrimin latin! Midis tjerash, Aleksandar Rankoviq në libër e ka shpalosur edhe bisedën që ai e ka pasur me Jopis Broz Titon (1892 – 1980) lidhur me “Aksionin e mbledhjes së armëve” në Kosovë, duke e potencuar se megjithatë, vendimi për ndërmarrjen e aksionit ishte sjellë në forumet politike të Serbisë, gjë që sikur bëhet me dije se kreu shtetëror jugosllav ishte anashkaluar, por megjithatë, duke u mbështetur në materialet e qasshme arkivore, realiteti i Kosovës së nënshtruar të viteve të pesëdhjeta dhe gjashtëdhjeta të shekullit XX, është paksa më ndryshe prej atij që në fakt e paraqet zbatuesi i “Aksionit të mbledhjes së armëve”.

“Lidhur me aksionin mua më informuan Sllobodan Peneziq-Kërcuni (1918 – 1964) Jovan Veselinovi (1906 – 1982) dhe Petar Stamboliqi (1912 – 2007) dhe më propozuan që për vendimin e tyre ta njoftoja Titon dhe shokët tjerë”, ka shkruar Rankoviq, gjë që është pak për t’u besuar, sepse ai me çdo kusht, sikur në dokumentin e pjesës së parë të artikullit, nuk e ka vendosur veten si nismëtar të kësaj ndërmarrjeje, siç edhe do të dëshmohet më vonë! Më tej ai ka shkruar se Titoja është informuar para se të niste aksioni në Kosovë.

“Së pari e njoftova Titon dhe më pastaj, në mbledhje e informova edhe sekretariatin e Komitetit Ekzekutiv. Lidhur me aksionin, pajtueshmëria ishte e plotë. Tito na i zuri për të madhe se pse armët nuk ishin mbledhur më herët! Në linjën ushtarake, gjenerali Ivan Goshnjak (1909 – 1980) jo vetëm që e konfirmoi vlerësimin e tillë të situatës në Kosovë, por ai aty i paraqiti edhe të dhënat e tij (të dhënat e KOS-it – S. L.). Unë i sqarova vonesat lidhur me motivet politike, sikurse dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve, pasi ata në fakt kurrë nuk janë shkëputur me dëshirë prej armëve! Kjo ndjeshmëri e lidhur me armët te shqiptarët ishte rrënjosur qysh nga shtypja kombëtare që ata e kishin përjetuar në Jugosllavinë e vjetër, nga koha kur borgjezia serbomadhe kishte ushtruar dhunë mbi popullatën shqiptare! Prandaj, të gjitha ato rrethana duhej të ishin prezente në zbatimin e “Aksionit të mbledhjes së armëve” dhe në radhë të parë duhej veçuar armiqtë e armatosur prej qytetarëve tjerë shqiptarë, serbë dhe malazezë. Me këto vërejtje ky aksion i është besuar UDB –së, republikës (Serbisë) dhe asaj krahinore (Kosovës) me një përkrahje të plotë politike dhe bashkëpunimi me organizatat shoqëroro – politike”, ka dëshmuar Rankoviq. Ndërsa ne duhet të kujtojmë se sipas statistikës zyrtare në vitet e pasluftës “numri i shqiptarëve të punësuar në Shërbimin e Brendshëm të Sigurisë në Kosovë ishte vetëm 13,33 për qind, i malazezëve 28,34 për qind ndërsa i serbëve 58,3 për qind”.

“Aksioni i mbledhje së armëve” në Kosovë ishte aksion legal!

Në vijim Aleksandar Rankoviq ka shpalosur detaje nga organizimi i “Aksionit të mbledhjes së armëve” në Kosovë, por që më vonë ato do të dalin shumë kundërthënëse, sidomos kur krahasohet numri i armëve të mbledhura.

“Midis çështjeve që në mënyrë tendencioze u iniciuan pas Plenumit të Brioneve në shtypin tonë, vend gjeti edhe ‘Aksioni i mbledhje së armëve në Krahinën Autonome të Kosovës dhe të Dukagjinit’, ka shkruar ai duke shtuar se “është fjala për një aksion legal që e kishte për qëllim zbulimin dhe mbledhjen e armëve ilegale me të cilat ishin furnizuar qytetarët e kësaj krahine gjatë luftës dhe pas çlirimit të vendit… Iniciativa se në çfarë përmasash do të jetë “Aksioni i mbledhje së armëve” në Kosovë u iniciua nga pushteti dhe forumet politike të Serbisë, në kohën e aktiviteteve të mëdha të elementeve armiqësore në Kosovë. Në atë kohë u zbuluan shumë organizata ilegale, që tashmë i kishin programet dhe statuset e tyre politike. Ato organizata politike të shqiptarëve, nuk ishin grupe të vogla që nuk kishin lidhje mes vete, por organizata të mirëfillta me udhëheqësi unike, të afta për ndërmarrjen e aksioneve të rëndësishme armiqësore. Këto organizata në mënyrë shumë të suksesshme mbanin lidhje ilegale me Shqipërinë, duke i shfrytëzuar vendkalimet në kufi, sikurse edhe të gjitha mjetet e tjera që i kishin në dispozicion. Ato u forcuan aq shumë në planin organizativ dhe politik, sa që në errësirën e thellë të natës shpërndanin parulla të përmbajtjeve armiqësore, më pastaj shkruanin parulla nëpër muret e ndërtesave të ndryshme, i vendosnin flamujt kombëtar shqiptarë, e bënin strehimin e veprimtarëve të ndryshëm dhe agjentëve të tyre u afronin ndihmë në kalimin e kufirit shqiptar. Përveç kësaj ata e kishin planifikuar organizimin e atentateve mbi njerëzit tanë në pozita udhëheqëse – kuadro serbe, malaziase dhe shqiptare (Rankoviq e ka përdorur herë shprehjen fyese Shiptari e herë Albanci – S. L). Më pastaj shumë shpesh kanë ndodhur sulme të armatosura në kufirin shtetëror, ku janë vrarë pjesëtarë të pushtetit, por edhe të formacioneve ushtarake kufitare. Në këto aksione apo organizime ka pasur gisht, pra pjesëmarrje edhe inteligjenca shqiptare dhe midis tyre ka pasur edhe pjesëtarë të afërm familjarë apo bij të ministrave dhe udhëheqësve tjerë (kosovarë S. L.). Nuk ka dyshim se këto organizata dhe aksionet e tyre politike i kanë pasur rrënjët në prapambetjen ekonomike dhe kulturore ‘të krahinës sonë’. Mirëpo, përkundër kësaj, anëtarët e këtyre organizatave janë rekrutuar kryesisht nga radhët e lëvizjes reaksionare balliste në të cilën lëvizje okupatorët e kanë pasur përkrahjen e fuqishme dhe bashkëpunim të gjithanshëm në luftën kundër ushtrisë sonë çlirimtare. Kështu edhe vetë Shqipëria mbështetet në forca të tilla, kur i shtron kërkesat për pretendime territoriale ndaj Jugosllavisë! Në aksionet e organeve të pushtetit dhe të forumeve politike për zbulimin dhe luftimin e këtyre organizatave, ka ardhur deri te proceset e shumta gjyqësore publike por edhe të mbyllura. Dënimet ishin relativisht të mëdha. Me rastin e arrestimeve dhe paraqitjes para gjyqeve të të akuzuarve, ka pasur qasje të diferencuar. Masa gjyqësore janë ndërmarrë vetëm kundër udhëheqësve, spiunëve, diversantëve dhe atentatorëve, ndërsa anëtarët e zakonshëm të organizatave janë arrestuar vetëm me qëllim të tërheqjes së vërejtjes ndaj tyre.
Situata e vështirë politike e imponoi ndërmarrjen e masave të caktuara në Kosovë. Masat e tilla në Kosovë u zhvilluan në përmasa të gjera dhe kuptohet se ato kanë qenë më të ndjeshme sesa në çfarëdo vendi tjetër”.

Pra siç vërehet në përmbyllje të kësaj pjese të rrëfimit, Aleksandar Rankoviq, ka tentuar që ta bëjë të njëjtin veprim që sot e praktikon dhe e promovon shteti i Serbisë në raport me krimet në Kosovë, Bosnjë, Kroaci dhe gjetiu, pra të barazimit të viktimave me kryesit e krimeve.

Aleksandar Rankoviqi në Pejë

Aksioni mori përmasa të mëdha, në Kosovë u mblodhën 26 mijë armë

Mirëpo, disa detaje në shpjegimet e Aleksandar Rankoviqit që thuajse janë prezentë gjatë gjithë rrëfimit të zhvillimit të “Aksionit të mbledhjes së armëve” në Kosovë, prapë e dëshmojnë frymën e veprimit konspirativ dhe ai përpiqet që ta luajë rolin balancues midis kontrollit mbi zbatuesit e urdhrave të tij dhe mundësisë së jokontrollit të plotë, që në normat e sotme do të emërtohej si dështim i zinxhirit komandues, në rastin konkret të UDB-së.

“Aksioni mori përmasa të mëdha, kështu që dalëngadalë ai e mori simbolikën e çarmatosjes në radhë të parë të elementeve armiqësore, të nxitura prej grupeve ilegale dhe organizatave që të sigurojnë armë të reja dhe t’i ruajnë armët e vjetra. Në këto aksione milicia hasi në vështirësi të paparashikueshme! Unë besoj se me rastin e mbledhjes së armëve ka pasur edhe parregullsi dhe nxitim në zbatimin e këtyre detyrave, por ato kanë qenë të kushtëzuara me rezistencën e rreptë nga ana e zotërueseve të armëve që i fshihnin ato. Të dhënat për armët e mbledhura në Kosovë mund të shihen në arkiva, nëse ato materiale nuk janë djegur duke u vlerësuar si ‘punë të mbrapshta apo të këqija’ të Sigurimit Shtetëror apo janë shkatërruar për arsye të tjera. Në atë kohë mua më informuan zyrtarisht se janë gjetur në gjendje të mirë rreth 26.000 armë të llojeve të ndryshme. Përveç tjerash ndër to kishte armë të lehta dhe të rënda, ndonjë top, minahedhës, mjaft bomba dore etj. Këto janë fakte që nuk mund të hidhen poshtë dhe vetvetiu imponohen si vlerësime për aksionin e zbatuar”, ka përfunduar Rankoviq, por ai ka kërkuar “që ndaj zbatuesve të aksionit duhet të mos ndërmerreshin kurrfarë masash, pasi ata kanë qenë vetëm ekzekutues të vendimeve që në fakt janë aprovuar në nivele më të larta shtetërore!”

Pra, siç shihet dëshmia e Rankoviqit është e fragmentizuar dhe episodike dhe një paraqitje më e plotë e fakteve se çfarë në të vërtetë ka ndodhur rreth “Aksionit të mbledhjes së armëve” në Kosovë pritet akoma të ndriçohet vetëm në vitet e mëvonshme fillimisht nëpërmjet arkivave, por si lehtësim për të ardhur tek e vërteta e plotë do të mund të përdoreshin edhe materialet e publikuara si në shtypin e kohës, por edhe në kujtimet e publikuara prej personaliteteve të ndryshme joshqiptare, që atëbotë ishin pjesë e zbatimit të politikës së Aleksandar Rankoviqit. Këto publikime sidomos janë aktualizuar atëherë kur në skenë u rikthye nacionalizmi serb, pas viteve tetëdhjetë të shekullit XX, madje ky nacionalizëm i riformatizuar ishte edhe më agresiv sesa ai i kohës së Rankoviqit.