Një sulm i rëndë rus me raketa balistike goditi qytetin Sumy të Ukrainës mëngjesin e së dielës, duke lënë dhjetëra të vdekur e të plagosur, përfshirë fëmijë. Sulmi ndodhi ndërsa banorët po festonin paqësisht të Dielën e Palmave.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi ngjarjen si një akt terrori dhe kërkoi reagim të fortë ndërkombëtar. Ai tha se ndër viktimat ishin dy fëmijë të vrarë dhe një foshnjë e plagosur rëndë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian reaguan menjëherë pas sulmit. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e quajti sulmin një “kujtues tragjik” përse Presidenti Trump dhe administrata e tij po përpiqen të arrijnë një paqe të qëndrueshme. Ndërsa e dërguari special i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, tha se Rusia “ka tejkaluar kufijtë e civilizimit”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e quajti sulmin “barbar” dhe bëri thirrje për masa të menjëhershme për të ndalur dhunën. Ajo tha se “Evropa qëndron pranë Ukrainës dhe Presidentit Zelensky”.
Zelensky shtoi se Rusia ka refuzuar një propozim të SHBA-së për një armëpushim të plotë, ndërsa sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe qyteteve ukrainase vijojnë çdo ditë, duke minuar përpjekjet diplomatike.