Mbajti meshë fetare në Kosovë, media serbe sulmon priftin shqiptar: Profet i rremë, po na vjedh kulturën

Mbajtja e ceremonie fetare në Podujevë nga prifti ortodoks shqiptar Nikolla Xhufka ka acaruar keq serbët. Media më e madhe serbe Kurir, ka postuar një shkrim kundër priftit ortodoks, teksa e quan mashtrues dhe profet të rremë.

Kurir ka përdorur reagimin e Dioqezës së Rashko-Prizrenitm për të sulmuar ashpër priftin shqiptar. Ndërsa institucioni fetar serb, e quan të paligjshëm veprimin e pjesëtarëve të Kishës Kombëtare Ortodokse të vetëshpallur Shqiptare nga Elbasani në objektin fetar të KSHP-së në fshatin Rakitnicë të Podujevës.

“Dje, më 28 nëntor 2023, sipas portalit të internetit kosovapost.net, në kishën e Shën. Kryeengjëlli Mihailo në fshatin Rakitnici të komunës së Podujevës është thyer nga një grup personash së bashku me priftin e vetëshpallur dhe të rrejshëm Nikolla Xhufka, shtetas i Republikës së Shqipërisë, për të kryer gjoja një ceremoni kishtare në kishë. Është një sulm i rëndë në pronën e Kishës Ortodokse Serbe me qëllim të përhapjes së urrejtjes dhe destabilitetit etnik dhe fetar në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, shkruan Dioqeza.

Ndërsa më tej kisha serbe e quan akt kriminal ceremoninë e mbajtur, dhe sipas tyre bëhet për të ‘shqiptarizuar’ dhe ‘kosovarizuar’ të trashëgiminë dhe kulturës serbe. Gjithashtu shtohet se duhet ndërhyrë direkt për të ruajtur kulturën serbe.

“Ky akt kriminal është vetëm një tjetër në serinë që synon vjedhjen e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kishës Ortodokse Serbe, përkatësisht “shqiptarizimin” apo “kosovarizmin” e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe kulturore. Eparkia e Rashko-Prizrenit ka vite që tregon për procesin e përvetësimit kulturor të trashëgimisë sonë. Akte të tilla dhe të ngjashme tregojnë për nevojën urgjente për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore dhe shpirtërore, në radhë të parë nga individë dhe organizata të lidhura me institucionet e Kosovës, ose nga individë që veprojnë me mbështetje më të madhe ose më të vogël nga ato institucione”, përfundo reagimin Dioqeza.

Po ashtu në shkrimin e Kurir, theksohet se Nikolla Xhufa është një prift i rremë dhe është shkarkuar nga puna nga Kisha Ortodokse Shqiptare. Po ashtu media serbe përdor një frazë biblike për të goditur priftin shqiptar : “Kini kujdes nga profetët e rremë, të cilët vijnë tek ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.” Mateu 7:15”.

Ndërsa artikulli vijon më tej duke e quajtur Xhufkën mashtrues dhe se përdor deklarata nacionaliste për të sulmuar priftërinjtë e tjerë dhe se interesi i tij është që të promovohet mediatikisht.