Mbetjet e rrezikshme rikthehen në portin e Durrësit

Ka mbërritur në portin e Durrësit, anija me flamur turk “Moliva”, e cila transporton më shumë se 200 kontejnerë me mbetje të dyshuara të rrezikshme.

Anija ka mbërritur në port, por nuk është ankoruar ende dhe po qëndron në radë, teksa ende nuk është e qartë dhe nuk ka të dhëna se ku do të dërgohen këto mbetje, që u kthyen pas në vendin e origjinës nga autoritetet tajlandeze, shkruan A2.

Një ditë më parë, në portin e Durrësit u mbajt një protestë e shoqërisë civile dhe opozitës kundër depozitimit të këtyre mbetjeve, të cilat sipas tyre rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel.