Mbyllet fushata elektorale, gati beteja para kutive të votimit

Është mbyllur mbrëmjen e së premtes fushata elektorale. Kryeministri Rama ishte fillimisht në Shkodër të premten dhe më pas në Durrës, ndërsa Berisha dhe Meta, nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” zgjodhën Tiranën.

Nga Durrësi, kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur për fitore. Ai tha se Emiriana Sako do të fitojë me një diferencë të madhe krahasuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.

“Thonë që Rama shkon në Durrës se Emiriana Sako nuk del mirë në sondazhe. Sa për sondazhet dhe rezultatit, unë u them që të marrin të numërojnë sa njerëz kanë sot dhe ajo do jetë diferenca e rezultatit të dielën, mijëra e mijëra e mijëra vota diferencë mes Sakos dhe atij që nuk po e zëmë me gojë se kemi folur”, tha Rama.

Një mesazh pati edhe për ata votues që hezitojnë të votojnë PS. “Ata (referuar opozitës) do i braktisin në këmbim të diçkaje tjetër, nuk po them se do vijnë te PS se do më detyroni që të shkoj në PD dhe ta fillojmë nga e para, kjo nuk ndodh, por do çlirohet Shqipëria dhe nga ai makth. Ne ju themi atyre që hezitojnë, të vijnë me ne apo jo, shikoni sa bukur është të jesh me ne”, tha Rama.

Ndërkohë, Ilir Meta ishte i ashpër në fjalimin e tij në takimin përmbyllës të fushatës në Tiranës. Duke i quajtur kryebashkiakët “gomerë”, Meta tha se ato të gjithë kontrollohen nga një njeri dhe ai është kryeministri Edi Rama. Kur iu referua si “gomerë” tha se këtë emërtim ua ka vënë vetë Rama dhe ata e kanë pranuar, e pikërisht për këtë thotë se në 14 maj do duhet t’i jepet fund kësaj mënyre të qeverisjes vendore.

“Një person i vetëm kontrollon 60 gomerë, përveç Shkodrës sonë historike. Rama si një kryeministër kriminel, u përpoq të devijonte llogaridhënien në këto 4 vite të 60 gomerëve të tij, siç ai e quan dhe ata e pranojnë, e duke vendosur Billboard me fytyrën e tij të qeshur dhe fytyrën time dhe të doktorit të mërzitur”, tha Meta.

Në anën tjetër, Berisha u shpreh i sigurt se ia kanë dalë të bindin shqiptarët për të votuar më 14 maj kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”. “Kandidatët e primareve janë kandidatët e fitores, janë kandidatët e lirisë. Sonte është një natë e veçantë në historinë e përpjekjeve tona për liri e dinjitet. Ne ia dolëm të bindim shqiptarët. Ne ia dolëm të takojmë shqiptarët, të bisedojmë me ta, të vendosim së bashku me 14 maj të votojnë ndryshimin”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai komentoi edhe fushatën e mazhorancës. “Sekti që kemi përballë e hapi fushatën me shpërthim dhe e mbylli me arrestim. E vazhdoi fushatën duke iu zotuar shqiptarëve se në Bruksel do të shkojë si vasal i Beogradit, vazhdoi fushatën me mashtrime se do të dyfishojë rrogat”, tha Berisha.

Dita e shtunë do të jetë heshtje zgjedhore. Të dielën procesi i votimit do të nisë në orën 7 dhe do të mbyllet në orën 19:00. Mbi 3 milionë e 600 mijë shqiptarë do të kenë të drejtën të hedhin votën e tyre për të zgjedhur drejtuesin lokal, i cili do t’i qeverisë ata për 4 vitet e ardhshme.