Mbyllet pika e karburantit e Radoiçiç! Sveçla: Damari i gazpromit rus nuk ka vend në Kosovë

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur 3 pika karburanti në veri të vendit që operonin në mënyrë të paligjshme. Raportohet se një prej tyre ishte në pronësi të Milan Radoiçiç, kriminelit në kërkim që organizoi sulmin terrorist në Banjskë, shtatorin e kaluar.

Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me këtë zhvillim duke theksuar se “krimi në veri të vendit ka qenë i thellë, i organizuar dhe i papenguar sheshazi gjithë këto vite”.

“Epoka e përfitimeve dhe pasurimeve në kurriz të shtetit dhe qytetarëve po perëndon. Për shtetin dhe qytetarët pa dallim do të bëjmë gjithçka, në mënyrë që keqpërdoruesit të ballafaqohen me ligjin.

Shkelësit e ligjeve dhe rregullave tona si ‘Nis Petrol’, damar i Gazpromit rus, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, njofton ministri Sveçla. Operacionet e policisë u zhvilluan në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.