“Më shërbeu darkën 17 vite më parë” Presidenti Bush u befasua kur gjeti Prigozhin në fotografinë e tij të vjetër

Vdekja e kreut të grupit mercenar ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin mbetet një nga ngjarjet e mbuluara me mister, pasi hetuesit nuk kanë ende një reagim zyrtar për shkakun e rrëzimit të aeroplanit ku ai ndodhej se bashku me 4 persona të tjerë. Ngjarja bëri bujë dhe shkaktoi polemika e reagime të shumta.

Një reagim ka ardhur së fundmi edhe nga ish-Presidenti amerikan George W. Bush, i cili është shprehur i tronditur për vdekjen e Prigozhin.

Ai tha se 17 vite më parë, ish-kuzhinieri i shërbeu atij darkën, shkruajnë mediat e huaja.

“Jo, ajo që është tronditëse për mua është se pashë një foto një ditë tjetër të samitit të G8 në Shën Petersburg, ku ai ishte djali që më shërbente ushqimin. Ai ishte kuzhinieri i Putinit dhe ishte në foto”, tha Bush.

Një foto e datës 14 korrik 2006, tregon momentin kur Bush dhe gruaja e tij, Laura Bush, takuan Prigozhin, kur çifti darkoi me Putinin. Ata ishin në Pallatin Konstandin gjatë Samitit të 32-të të G8-ës në Shën Petersburg.

Ishte hera e parë që Rusia priti një takim të G8-ës. Në atë kohë, si Uashingtoni ashtu edhe Moska po diskutonin hapjen e mëtejshme të tregtisë midis dy kombeve dhe mundësinë e anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.