Mehaj: “FSK ka armatim të rëndë dhe kemi armatim edhe më të rëndë”

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë në çdo cep të territorit të vendit varësisht nga nevoja. Këtë e tha gjatë konferencës së fundvitit dhe kur u pyet për mungesën e pranisë së ushtarakëve të Kosovës në veri në baze të një marrëveshjeje të mëhershme. Në konferencë, Mehaj foli për arritjet e këtij viti si dhe për aspiratën për t’u bërë pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s.

Mehaj tha se mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i dedikuar për të mbrojtur të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Ajo marrëveshje është nënshkruar në vitin 2013. Përmes mandatit dhe ligjeve të Kosovës, FSK është e dedikuar për të mbrojtur territorin e Republikës së Kosovës. Kudo që është nevoja, FSK do të jetë… Kudo që është nevoja FSK do të jetë për mbrojtjen e territorit të Republikës së Kosovës”, tha Mehaj.

Mehaj tha se fjalët që Forcës i kufizohet pajisja me armatim të rëndë nuk qëndrojnë.

“FSK ka armatim të rëndë dhe kemi armatim edhe më të rëndë. Nuk kemi kufizime siç pretendojnë me qëllime të ndryshme besoj. Ne FSK çdo pajisje që posedon por edhe si program është me standarde të NATO-s. Prokurohet prej shteteve e partnere të NATO-s. Shumica prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Mehaj.

Në lidhje me anëtarësimin në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Mehaj tha se si Ministri e Mbrojtjes kanë plotësuar rreth 90% të kritereve, por se kërkohet punë edhe nga ministritë e tjera. Për këtë qëllim tha se ekziston edhe grupi ndërministror.

“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK kemi përmbushur afër 90% të kritereve për Partneritet për Paqe, por varet nga ministritë e tjera. Jemi në koordinim me ministritë e tjera. I kemi kriteret që kërkohen në Partneritetin për Paqe. Janë shumë të qarta… Sfidë janë edhe shtetet mosnjohëse të NATO-s. Besoj që përmes diplomacisë dhe politikës do të marrim me vete ato shtete të na mbështesin drejt vlerave që i ndajmë të përbashkëta në orientimin dhe vizionin e misionit të përbashkët për anëtarësim të plotë në NATO”, vijoi Mehaj.

Stërvitja ushtarake “Defender ‘23” që pritet të mbahet në Kosovë do të jetë një nga aktivitetet më të rëndësishme për FSK-në dhe Ministrinë e Mbrojtjes gjatë vitit të ardhshëm.

“Përgatitja ose fokusi kyç i FSK-së, por edhe Ministrisë së Mbrojtjes, janë parapërgatitjet për ‘Defender 23’ që na pret. Një prej lokacioneve kyçe gjatë ‘Defender 23’ do të jetë Babaj Bokës që është edhe në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Do të jemi nikoqir, e të jesh nikoqir kërkon goxha mbështetje logjistike, masat janë marrë nga FSK dhe Ministria e Mbrojtjes, ne presim gjatë ‘Defender 23’ të kemi suksesin e radhës për evalidimin e një regjimenti. Vitin e kaluar e kemi evaliduar një kompani 330 pjesëtarë, në ‘23 presim t’i evalidojmë mbi 1300 ushtarë gjatë trajnimit të përbashkët me partnerët dhe miqtë tanë”, deklaroi Mehaj.

I pyetur në lidhje me largimet e ushtarëve nga FSK, ministri tha se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, ndërsa këshilltarja e tij për media, Liridona Gashi tregoi se largimet janë në të njëjtin nivel sikurse viteve të kaluara.

“Në lidhje me largimin e pjesëtarëve të FSK, bëhet fjalë për një trend që e ka ndjekur FSK përgjatë viteve por që nuk mund të shohim ngritje. Faktikisht përqindja aktuale e largimit që konsiderohet me vetë dëshirë për momentin është 2% që nuk konsiderohet shqetësuese në raport me vendet e tjera të rajonit por edhe me shtetet e tjera më të njohura, bie fjala më ushtrinë amerikane që çdo vit e ka një përqindje prej 12.4% na vazhdimësi të largimit”, tha Gashi.

Mehaj foli edhe për rekrutimet ndërsa në lidhje me konkursin e fundit për rekrutimin e 612 ushtarëve aktivë dhe 388 pjesëtarëve të komponentës rezervë të FSK-së, inkurajoi vajzat dhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë që të aplikojnë.

Ai gjithashtu tha se plani i tranzicionit, i cili këtë vit ka hyrë në fazën e dytë, është duke vijuar sipas parashikimeve të parapara. Mehaj gjithashtu përmendi trajnimet jashtë vendit për ushtarakët ndërsa u shpreh se kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale me 17 shtete partnere të NATO-s.

Po ashtu, u tha se Ministria e Mbrojtjes ka arritur që të shpenzojë buxhetin e përgjithshëm në vlerën prej 85%. Një pjesë e madhe ka shkuar në blerjen e sistemeve të armatimit dhe municionit sipas planifikimit që i ka pasur ministria dhe FSK./ KosovaPress