Mehaj: Nga 25 shtete pjesëmarrëse, Kosova e 4-ta me më së shumti ushtarë në “Defender 23”

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë ceremonisë hyrëse të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 2023”, ku Kosova do të jetë nikoqire, ka thënë se destinacioni i vetëm i vendit është anëtarësimi në NATO.

Gjatë fjalimit të tij në këtë ceremoni, Mehaj ka deklaruar se Kosova është përmbushëse e çdo detyre dhe çdo obligimi që i kërkohet për t’u bërë pjesë e familjes së madhe euroatlantike.

Ai ka njoftuar se në këtë stërvitje janë 25 shtete pjesëmarrëse me mbi 24 mijë ushtarë, ndërsa Kosova renditet si vendi i katërt me më së shumti trupa, gjithsej 1300 ushtarakë.

“Në këtë stërvitje do të kemi pjesëmarrës nga 25 shtete me mbi 24 mijë pjesëmarrës. Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1300 ushtarakë, ne do të jemi vendi i katërt me më së shumti ushtarakë që do të jemi pjesëmarrës. Paqja është rruga jonë. Paqja është e vetmja rrugë. Ju uroj sukses të gjithëve, dëshmoni që jemi të gatshëm të jemi krah për krah me partnerët tanë kurdo që kërkohet nga Aleanca jonë”, ka thënë ai.