Mesiq: Vuçiq si Millosheviqi, “Serbia e Madhe” nuk do të ndodhë

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq, ka evokuar kujtime nga koha kur ai ishte presidenti i fundit i Jugosllavisë, e cila po shkonte drejt fundit.

Ai gjatë Takimit të Madh të Prishtinës për integrimet ndërshqiptare e ndërballkanike, ka bërë përgjegjës ish-kasapin e Ballkanit Sllobodan Millosheviq për të gjitha viktimat e shkaktuar në Kroaci, Bosnje e Kosovë.

Mesiq ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq po i vazhdon politikat e Sllobodan Millosheviqit për krijimin e “Serbisë së Madhe”, e cila sipas tij nuk mund të bëhet kurrë.

“Ende ka nga ata që si Millosheviqi të bëhet Serbia e Madhe, por unë ju them se ajo nuk mundet të bëhet. Për të gjithë ata që mendojnë që Serbia mundet të bëhet një shtet i madh, unë ju them që Serbia është një shtet i vogël në Ballkan”, tha Mesiq.

Takimi PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik me tematiken ”Histori-Identitet- Integrim”, u mbajt në kuadër të 25-vjetorit të luftës legjendare të UÇK-NATO dhe lirisë së Kosovës në Prishtinë, me mbi 600 të ftuar nderi.

/GazetaSinjali/