Despoti mesjetar çeçen dhe ‘gjakatari i Putinit’, Ramzan Kadyrov (46), thuhet se ka fajësuar për përkeqësimin e papritur të shëndetit të tij në muajt e fundit, mjekun e tij personal Elchan Suleimanov.
Sipas burimeve nga kanali rus Telegram zakonisht i mirëinformuar “VChK-OGPU”, mjeku nuk është parë që nga tetori i vitit të kaluar.
“Ka madje thashetheme se ai u varros i gjallë”, ka shkruar ky kanal në Telegram, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, ka pasur shumë spekulime për shëndetin e Kadyrov, veçanërisht në fillim të vitit.
Ai kishte shtuar shumë peshë, shfaqej shumë i fryrë dhe shpeshherë nuk i hapte sytë në video.
Në atë kohë flitej për një problem të mundshëm me veshkat.
Dhe siç thuhet më tej, sundimtari besnik i Putinit thuhet se besonte se ishte helmuar – dhe për këtë e bindën ndjekësit e tij.
Mjeku i tij personal i kishte dhënë disa injeksione – dhe Kadyrov besonte se kjo e kishte bërë atë të sëmurë.
Si rezultat, Suleimanov u shkarkua nga posti i tij si zëvendëskryeministër brenda natës në tetor të vitit 2022.
Deklarata zyrtare në atë kohë ishte se ai kishte dhënë dorëheqjen me vullnetin e tij të lirë.
Por thuhet se ai nuk është parë që atëherë dhe me sa duket sepse u vra brutalisht!
Lidhur me një pretendim të tillë ka shkruar edhe këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Gerashchenko.
“Mediat ruse raportojnë se Kadyrov, i shqetësuar dhe i frikësuar nga një përkeqësim i papritur i gjendjes së tij shëndetësore, ka akuzuar mjekun e tij personal, Elkhan Suleymanov, i cili ka shërbyer edhe si zëvendëskryeministër, se ka tentuar ta helmojë atë. Mjeku u zhduk pa lënë gjurmë nga tetori i vitit 2022 dhe më pas, sipas disa burimeve, ai u hoq nga të gjitha postet, u vra brutalisht dhe u varros i gjallë”, ka shkruar fillimisht Gerashchenko.
Sipas tij, postimi i fundit i Suleymanov në Instagram daton tetorin e vitit 2022, pavarësisht faktit se ai përditësonte profilin e tij pothuajse çdo ditë.
Ai gjithashtu nuk u pa për një kohë të gjatë as në institucionet arsimore të Moskës, të cilat i vizitonte shpesh, as në Çeçeni.
“… Suleymanov ishte një figurë e jashtëzakonshme në rrethinën e Kadyrov – ai ishte lezgin, jo çeçen dhe kishte një histori mbresëlënëse profesionale në mjekësi. Zhdukja e papritur dhe vdekja e tij misterioze ngrenë shumë pikëpyetje”, ka shkruar më tej Gerashchenko.