Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit të mbajtur me kryeministrin Albin Kurti të hënën në shkup, e ka përmendur pengimin e presidentes Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit (TAV).
Mickoski ka thënë se rasti do të ndriçohet nga institucionet kompetente dhe në rast se konstatohen shkelje, askush nuk do të jetë mbi ligjin.
Në konferencën për media të mbajtur me Kurtin, Mickoski ka thënë se ka kënaqësi që herën tjetër ta presë në TAV dhe ta shoqërojë gjatë kohës sa do ta kalojë brenda hapësirave të aeroportit në mënyrë që të shmangen incidentet e tilla.
“Ka institucione kompetente që do ta ndriçojnë rastin në dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë deri në momentin kur vjen personi, pjesa e dytë pasi që vjen personi të cilin e theksuat. Nëse institucionet e caktojnë si tejkalim, apo kryerje të veprës penale, ju siguroj që personi i njëjtë do të nxirret para drejtësisë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin derisa jam unë kryeministër. Theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si edhe të gjithë qytetarët e tjerë nga Kosova dhe radhën e ardhshme nëse marr informatë në kohë do të kem kënaqësinë ta pres si nikoqir në Aeroportin e Shkupit dhe ta shoqërojë në kohën që do ta kalojë në Aeroportin e Shkupit që t’u shmangemi këtyre incidenteve dhe veçanërisht sjelljeve të individëve që është problemi ynë i brendshëm që do ta zgjidhim brenda në shtetin tonë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se pavarësisht incidenteve, shtetet kanë raporte të mira bilaterale.
“Dua ta nënvizoj se marrëdhëniet e mira mes fqinjëve janë rrugë dydrejtimëshe, duam me Kosovën të kemi marrëdhënie të mira dhe të frytshme, si qeveri do ta mbështesim këtë parim. Ministrat e Drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë jo vetëm për këtë rast, marrëdhëniet e mira bilaterale do të shkojnë në drejtim pozitiv”, është shprehur ai.