Minatorët i përgjigjen qeverisë: Kërkoni llogari nga ata që keqmenaxhuan

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës i është përgjigjur qeverisë e cila kërkoi nga kjo ndërmarrje “zotim në ulje të shpenzimeve dhe rritje të prodhimit nëse dëshirojnë përkrahje financiare” duke thënë se minatorët nuk janë ata të cilët duhet të japin llogari për menaxhimin dhe financat e ndërmarrjes.

“Duke pas parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi minatorët gjithmonë kanë qenë dhe janë të gatshëm për llogaridhënie, por së pari nuk jemi ne minatorët ata të cilët duhet të japim llogari për menaxhimin dhe financat e ndërmarrjes. Minatoret e kanë dëshmuar me punë dhe përkushtim obligimin që e kanë pasur, pra prodhimin sa më të lartë edhe pse pa kushtet elementare për pune, siç është siguria në punë që çdo herë kemi qenë të rrezikuar”, thuhet në reagimin e tyre.

Kjo sindikatë gjithashtu kërkoi që të mos dënohen minatorët, por të kërkohet llogari nga ata që keqmenaxhuan.

“Ata të cilët duhet të japin llogari në vijë të parë është menaxhmenti dhe bordi të cilët gjithmonë i ka emëruar Qeveria, pra aty është vendi ku duhet kërkuar përgjegjësia dhe llogaridhënia. Si përgjigjen të mirë mirë nëse nuk e dini jua ka dhënë Zyra Kombëtare e Auditimit që në ndërmarrjen Trepça SH.A ka pasur keqmenaxhim në të gjitha pikat e auditivit”.

“Mjaft më, është koha që të reflektoni ju si qeveri sepse ne si minatorë ju kemi paralajmruar shumë kohë më parë, paknaqesinë tonë jemi munduar t’ua shfaqim edhe me ngujimin në minierë e me greva, por si duket as kjo nuk paska mjaftuar. Kuptojeni nuk jemi duke kërkuar diçka jolegjitime, po e kërkojme shpagimin e mundit tonë, pra pagën që buron nga Ligji i Punës. Mos i dënoni minatorët, kërkoni llogaridhënie nga ata që keqmenaxhuan”, thuhet tutje në shkrimin e sindikatës”, thuhet tutje në reagim.

Ndryshe, sot, Qeveria e Kosovës në lidhje me grevën e minatorëve të “Trepçës” është zotuar për angazhim në gjetjen e një zgjidhjeje, por duke theksuar se përkrahja financiare varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre. Njëkohësisht, Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça Sh.A. Përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit”, thuhej në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Qeveria pret që ndërmarrja të marrë masa që rrisin kontrollin e brendshëm operativ e financiar, si dhe reforma rrënjësore që transformojnë afarizmin e tyre.

Sipas qeverisë, i është dhënë mbështetje “Trepçës” gjatë gjysmës së parë të këtij viti, por ajo “ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme”.