Ministri estonez, Gjuriqit: E papranueshme të shtrëngosh duart me një kriminel lufte

Serbia e ka nisur fushatën e saj të paralajmëruar ditë më parë nga presidenti Aleksandar Vuçiq, për siç tha ai, “situatën e rëndë” të serbëve në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka vizituar Estoninë, ku u prit nga homologu i tij, Margu Tsahkna.

Ndër të tjera, Gjuriq tha se e informoi Tsahknanin për “situatën në Kosovë dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Kurtit”

“E informova homologun tim për situatën në Kosovë, dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Kurtit, duke theksuar se integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë janë po aq të vlefshëm sa ai i çdo vendi tjetër”, shkroi Gjuriq për vizitën, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, Tsahknani ia kujtoi atij se për Estoninë, është e papranueshme shtrëngimi i duarve “me një kriminel lufte”, ku fjalën e kishte për lidhjet e forta që Serbia e Vuçiqit i ka me presidentin rus, Vladimir Putin.

“E mirëprita Marko Gjuriqin dhe e theksova se është e papranueshme të shtrëngosh duart me një kriminel lufte që po përpiqet që të minojë sigurinë e Evropës dhe sovranitetin e Ukrainës”, shkroi Tsahkna, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se Serbia, si kandidate për BE, pritet t’i përshtatë politikat me BE-në, e po ashtu, i njëjti shprehi edhe mbështetjen për dialogun mes Serbisë e Kosovës.