Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, i dërgoi një mesazh të ashpër Shqipërisë në lidhje me paraburgimin e Fredi Belerit, gjatë një interviste për kanalin ERT.
Ai zbuloi se ka pasur dy telefonata të vështira me homologun shqiptar Ministren Olta Xhaçka, për këtë çështje.
Ai paralajmëroi se këmbëngulja e palës shqiptare për të mos marrë masat e nevojshme për lirimin e zotit Belerit dhe mbi të gjitha për të mos lejuar atë që të bëjë betimin, që rrezikon shkarkimin e tij të mundshëm, do të nënkuptojë një përkeqësim serioz të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë.
Ai theksoi se qeveria greke ka ndërmarrë që në fillim iniciativa shumë të rëndësishme, të cilat mund të sjellin një përshkallëzim të tensionit.
Në veçanti, ai tha se gjatë kontakteve të tij me faktorë kritikë institucionalë të BE-së lidhur me çështjen e procesit të para-anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe në NATO, i ka informuar ata personalisht dhe me tone shumë të ashpra se nuk ka mundësi që procesi i anëtarësimit të vazhdojë.
Ai ka treguar se ka pasur gjithashtu dy telefonata të vështira me Ministren e Jashtë të Shqipërisë Olta Xhaçka.
“Kam ngritur si çështjen e lirimit me kusht, ashtu edhe mundësinë e betimit siç ndodh në shumicën e sistemeve juridike ku ekziston mundësia e votimit dhe e betimit në burg. Ajo shprehu një qëndrim pozitiv, por nuk patëm rezultate të prekshme. Prandaj, konsiderova se nuk ka asnjë disponim nga ana e palës shqiptare që të ketë ndonjë iniciativë aktive dhe për këtë arsye javën e kaluar u dërgova ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme të BE-së, Joseph Borrell, një letër veçanërisht e ashpër, në të cilën ngre çështjen”.
Madje ai thotë se ka dërguar mesazhin se ky ton do të vazhdojë.
Më tej, ai vuri në dukje se çështja e ZEE-së me Shqipërinë është krejtësisht e ndarë, nuk prek çështjen e Belerit, duke shtuar se tensioni që krijohet nuk është aspak i dobishëm, sidomos për Shqipërinë. Ai kujtoi se Greqia ishte vendi përshpejtues i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe se është katalizator në këtë proces.
Në tetor do të publikohet raporti për evoluimin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së në mënyrë që të hapen edhe fondet e para-anëtarësimit. Në këto kushte ai deklaroi se “kuptojmë që rruga e Shqipërisë është e shtruar me gjemba”./tch