Ministri sirian, Murhaf Abu Qasra, deklaroi se Siria është e hapur për të lejuar Rusinë të mbajë bazat e saj ajrore dhe detare përgjatë bregdetit të Mesdheut, për sa kohë që çdo marrëveshje me Kremlinin i shërben interesave të vendit.
Autoritetet siriane muajin e kaluar prishën një kontratë me një kompani ruse që menaxhonte pjesën komerciale të portit të Tartusit, konfirmoi në një intervistë të fundit ministri i ri i mbrojtjes së Sirisë, Murhaf Abu Qasra.
Sipas tij, nëse Rusia arrin të sigurojë një marrëveshje të përshtatshme për palën siriane, atëherë mund të merret në konsideratë qëndrimi afatgjatë i forcave ruse.
Një pikë e rëndësishme në marrëdhëniet e reja midis Rusisë dhe Sirisë, sipas Qasra-s, është edhe çështja e ish-presidentit Bashar al-Asad, ekstradimin e të cilit kërkojnë autoritetet e reja siriane.
“Kur Bashar al-Asad vendosi të shkonte në Rusi, ai mendoi se nuk ishte e mundur të arrinim një marrëveshje me rusët. Ndoshta marrëdhëniet me ta do të rinovohen në një mënyrë që së pari do t’u shërbejë interesave të Sirisë dhe më pas atyre të Rusisë,” tha Qasra.
Nga ana tjetër, ministria siriane e mbrojtjes përballet me një detyrë të vështirë për të rindërtuar ushtrinë siriane, e cila është ndarë në fraksione të shumta.